Dhimbjet e kokës: Pjesa 3 – Dhimbje koke tensioni
Dhimbja e kokës prej tensionit është një nga dhimbjet e kokës primare më të hasura. Kjo i ndodh me afërsi 80% të personave. Meqenëse simptomat nuk janë aq të rënda sa në rastin e Migrenës, kjo dhimbje koke konsiderohet si problem vetëm në rastin kur behet e shpeshtë ose kronike.
Cilat janë shkaqet e dhimbjes së kokës nga tensioni?
Shkaku specifik i dhimbjes së kokës nga tensionit nuk dihet, por ka shumë faktorë që me shumë mundësi luajnë një rol të madh në shkaktimin e dhimbjes së kokës. Këto faktorë përfshijnë:
- Stresi zakonisht shkaktohet pasdite pas orëve të gjata stresuese të punës ose pas ndonjë provimi
- Gjendje ankthi
- Mungesa e gjumit
- Lodhja
- Qëndrimet e parehatshme, pozicione të vështira dhe/ose jo korrekte
- Ngrënia në mënyrë të çrregullt (uria)
- Mungesa e kafeinës
- Dehidratimi
- Kërcitja/shtrëngimi i dhëmbëve
- Drita e fortë
- Zhurmat e larta
Cilat janë simptomat e dhimbjes së kokës prej tensionit?
Dhimbjet e kokës të shpeshta nga tensioni merren në konsideratë kur personi ka patur të paktën 10 dhimbje koke gjatë një muaji. Ka shkallë të ndryshme të frekuencës ose të asaj që konsiderohet kronike.
Personat që vuajnë nga dhimbja kronike e kokës prej tensionit, raportojnë që të kenë patur dhimbje më shumë se 180 ditë në një vit. Kjo dhimbje koke shfaqet kryesisht nga të dyja anët, dhe ka një natyrë shtrënguese ose ushtruese presioni. Nëse është e lehtë, nuk ndikon apo pengon në kryerjen e punës.
Këta persona mund të shfaqin simptoma të shoqëruara me Migrenë të tilla si nauze/të përziera dhe ndjeshmëri e lartë ndaj dritës ose zhurmave, por zakonisht vetëm njërën prej këtyre simptomave.
Simptomat më të zakonshme të dhimbjes së kokës prej tensionit përfshijnë:
- Tension në muskujt përreth kokës dhe qafës
- Presion të vazhdueshëm në kokë, më shpesh mbrapa syve
- Dhimbje në bazë të kafkës
- Marramendje në raste të rralla
Si diagnostikohet dhimbja e kokës e tensionit?
Nuk ka ndonjë test të caktuar që mund të identifikoj llojin e dhimbjes së kokës nga tensioni. Diagnoza juaj do të bazohet në interpretimin që fizioterapisti do t’u bëjë simptomave tuaja dhe se si reagoni ndaj trajtimeve të ndryshme.
Grafia me anë të rrezeve X, skaneri dhe rezonanca magnetike (MRI) nuk mund të diagnostikojnë dhimbjen e kokës nga tensioni. Ju mund të vuani prej kësaj dhimbjeje koke me ose pa rezultate anormale prej këtyre imazherive. Nga ana tjetër, një anomali e zbuluar prej skanerit nuk do të thotë që ju do të përjetoni një dhimbje koke prej tensionit.
Megjithatë, grafia me rreze X dhe skaneri mund të identifikojnë struktura që mund të ndikojnë në dhimbjen e kokës. Rekomandohet të bëhet një grafi të paktën për pjesën cervikale të shtyllës kurrizore nëse ju keni vuajtur prej dhimbjes së kokës për një kohë të gjatë.
Si mund t’ju ndihmojë fizioterapia ose masazhi?
Trajtimet më të suksesshme në lidhje me lehtësimin e dhimbjes së kokës prej tensionit përfshijnë teknikat e mëposhtme:
- Mobilizimin e vertebrave
- Çlirimin e muskujve
- Terapia miofashiale e pikave të tensionit
- Tërheqje (stretching) dhe ushtrime përkatëse
Trajtimet e fizioterapisë me anë të mobilizimit të vertebrave përfshin vertebrat në pjesën e sipërme të qafës, zonën ku qafa lidhet me pjesën e sipërme të kurrizit. Kur tensioni i muskujve është pjesë e trajtimit të caktuar, si pjesë e ndihmës së parë dhe strategjisë së menaxhimit përfshihen tërheqjet, çlirimi i pikave të tensionit, trajtimi me të ngrohtë, etj.
Rimarrja e forcës dhe koordinimit të muskujve, veçanërisht kur pacientët përshkruajnë se kur lëvizin krahët apo mbajnë kokën në një pozicion të caktuar, simptomat provokohen ose e ndjejnë kokën e rënduar. Këto janë të gjitha tregues të rëndësishëm për trajtimin e duhur me anë të fizioterapisë së caktuar.
Gjithashtu terapia relakusese është efektive dhe ka rezultuar që përmirëson frekuencën e dhimbjeve të kokës dhe gjithashtu jep një gjendje të menjëhershme qetësie.
Praktika profesionale ka treguar se fizioterapia manuale e kombinuar me tërheqje të muskujve cervikal (të zonës së qafës) dhe masazh janë efektive për këtë problem në aspekte të ndryshme.
Ndërsa trajtimi me anë të manipulimeve në pjesën e shtyllës kurrizore ka rezultuar të jetë më efektiv në rastet e personave me dhimbje kronike koke nga tensioni se sa tek ata persona që kanë pasur dhimbje koke vetëm në episode të caktuara.
Këshilla për lehtësimin e dhimbjes së kokës prej tensionit
Dhimbjet e kokës prej tensionit mund të përmirësohen nëpërmjet ndryshimeve të thjeshta që duhet të bëni në stilin e jetës:
- Hidratohuni në mënyrë të vazhdueshme dhe hani në mënyrë të rregullt
- Shmangni pirjen e sasive të mëdha të pijeve alkoolike
- Beni një gjumë të mirë gjatë natës
- Shmangni pozicionin të qëndrimit ulur për kohë të gjatë
- Mbani një pozicion korrekt të qëndrimit ulur
- Kontrolloni shikimin në mënyrë të rregullt
- Shmangni dritën e fortë të diellit ose reflektimet në ekranin tuaj
- Sigurohuni që ambienti i punës nuk është shumë i zhurmshëm.