SKOLIOZA
Çfarë është skolioza?
Skolioza është një problem shëndetësor ku shtylla kurrizore është e lakuar nga njëra anë në tjetrën. Shtylla kurrizore e një personi me skoliozë mund të ngjajë më tepër si një “S” se sa si një vijë e drejtë. Afërsisht 2% e popullsisë kanë një lakim skoliotik në shtyllën kurrizore dhe përreth 10% e këtyre janë raste të rënda.
Skolioza është quajtur e tillë sipas zonës ku ndodhet kulmi i lakimit në shtyllë. Më shpesh këto lakime ndodhin në pjesën e kraharorit (torakale) dhe në pjesën ndërmjet kraharorit dhe mesit (torakalo-lumbare). Skolioza zakonisht nuk ndodh në qafë.
Adoleshenca e hershme, veçanërisht mosha ndërmjet 11 dhe 14 vjeç është koha ideale për të kontrolluar shtyllën kurrizore për skoliozë. Skolioza mund të përparojë gjatë adoleshencës nëse nuk trajtohet gjatë kësaj periudhe. Kështu që, kontrolli dhe trajtimi në një fazë të hershme mund të përmirësojë tepër mirëqenien, fuqinë dhe forcën muskulore.
Çfarë e shkakton Skoliozen?
Ekzistojnë disa lloje të skoliozes:
Skolioza strukturore (idiopatike) ka prejardhje gjenetike. Një histori skolioze në familje, veçanërisht ne linjën femërore, rrit me 20% mundësinë për të patur skolioze. Skolioza idiopatike zakonisht zhvillohet në fillimet e adoleshencës ndërmjet moshës 11 dhe 14 vjeç, me një prani më të lartë tek femrat se sa tek meshkujt (10:1). Përparimi i skoliozes është gjithashtu më i shpeshtë tek femrat se sa tek meshkujt. Nëse lihet i pa diagnostikuar dhe trajtuar në adoleshencë, lakimi i shtyllës kurrizore mund të përparojë.
Skolioza funksionale mund të zhvillohet në adoleshence, shpesh si rrjedhojë e një dëmtimi ose aktiviteteve te përsëritura asimetrike (p.sh. tenis). Ekziston një lakim në shtyllën kurrizore që është formuar prej mbi përdorimit të muskujve në njërën anë dhe mos përdorimit të muskujve në anën tjetër. Meqenëse e ka bazën tek muskulatura, kjo skolioze mund të korrigjohet me trajtimin dhe ushtrime te përshtatshme.
Skolioza patologjike mund të shkaktohet tek njerëzit me sëmundje neuro-muskulore të tilla si distrofi e muskujve ose si pasojë e një dëmtimi të rëndë të palcës kurrizore të tillë si kuadroplegjia.
Cilat janë simptomat e Skoliozes?
Shenjat fizike tek fëmijët mbi 8 vjeç, në bazë të të cilave prindërit duhet të dyshojnë për skoliozë janë:
- Asimetri ne kockën e legenit
- Shpatullat që nuk rrinë drejtë
- Njëra shpatull më e dalë se tjetra
- Përkulja në njërën anë
- Dhimbje në zonat e paekuilibruara të përmendura lart.
Në kundërshtim me atë që mendohet, skolioza nuk shkaktohet prej qëndrimit (posturës) së keqe. Megjithatë, ajo mund te përkeqësohet si rezultat i një qëndrimi të keq ose muskujve të dobët të kurrizit.
Si diagnostikohet Skolioza?
Kontrolli për skoliozë kryhet normalisht në një kontroll rutine prej fizioterapistit ose mjekut. Fizioterapisti kontrollon kurrizin tuaj, shpatullat, kafazin e kraharorit, legenin, këmbët dhe shputat për anomali ose asimetri. Nëse ai dyshon për një skoliozë të theksuar, mund t’ju kërkojë të bëni një grafi me rreze X për të konfirmuar këndet e lakimit ose seriozitetin e skoliozes.
Një lakim i theksuar në shtyllën kurrizore i ndeshur tek një adoleshent ka nevojë për kontrollin nga një specialist ortoped i shtyllës kurrizore.
Cilat janë mundësitë e trajtimeve për Skoliozën?
Faza I – Lehtësimi i dhimbjes
Jo të gjithë ata që vuajnë nga skolioza përjetojnë dhimbje ose shqetësime. Por tek pacientët që kanë, lehtesimi i dhimbjes ndihmon në zbatimin e ushtrimeve korrigjuese ose parandaluese.
Lehtësimi i dhimbjes mund të arrihet me anë të teknikave të ndryshme:
- Elektroterapi (ultratinguj, TENS),
- Akupunkturë
- Çlirimi i muskujve të shtrënguar, dhe
- Lidhje për të mbështetur qëndrimin.
Në këtë fazë fizioterapisti mund t’ju prezantojë disa ushtrime të lehta për të ruajtur lëvizjen në shtyllën kurrizore si dhe të përmirësoje qëndrimin ndërsa dhimbja largohet.
Faza II – Përmirësimi i çekuilibrave (forcimi dhe tërheqja)
Ndërsa dhimbja dhe inflamacioni përmirësohen, fizioterapisti e kalon vëmendjen tek përmirësimi i fuqisë dhe fleksibilitetit të muskujve në të dyja anët e skoliozes. Ata gjithashtu përfshijnë zonat përreth ndihmëse të tilla si zona e legenit dhe e shpatullave që mund të ndikojnë në shtrirjen e shtyllës kurrizore.
Qëllimet e trajtimit kryesor janë rikthimi i lëvizjeve normale të shtyllës kurrizore, i gjatësisë se muskujve dhe rivendosja e tensionit të muskujve, fuqisë dhe qëndrueshmërisë së muskujve.
Teknikat “taping”-lidhja me fasha ngjitëse, mund të aplikohen deri sa të arrihet fuqia dhe fleksibiliteti i përshtatshëm në muskujt e piketuar.
Faza III – Rikthimi i funksionit të plotë
Kjo fazë e trajtimit të skoliozës synon drejt arritjes së kryerjes së shumicës së aktiviteteve normale ditore, përfshi këtu sportet dhe aktivitete të tjera krijuese, por pa e rënduar përsëri gjendjen.
Në varësi te punës tuaj, sportet apo aktivitetet ditore, fizioterapisti synon të rikthejë funksionin tuaj për t’ju lejuar që të kryeni në mënyrë të sigurtë ato aktivitete që dëshironi.
Çdokush prej nesh ka nevoja të ndryshme për trupin që do të përcaktojnë se çfarë qëllimesh duhen arritur në trajtimin specifik. Për disa mund të jetë thjeshtë një ecje përreth. Të tjerë mund të dëshirojnë të vrapojnë në maratonë. Fizioterapisti e përshtat rehabilitimin e kurrizit për t’ju ndihmuar që të arrini qëllimet tuaja funksionale.
Faza IV – Ndalimi i përsëritjes
Meqenëse skolioza në shumë raste është një ndryshim strukturor i përhershëm në skelet, vetë-manaxhimi i vazhdueshëm është i nevojshëm për të ndaluar rikthimin e simptomave. Kjo do të përfshijë disa ushtrime kyçe për të ruajtur fuqinë, fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë optimale dhe mbështetjen e qëndrimit. Fizioterapisti do t’ju ndihmojë për të identifikuar se cilat janë ushtrimet më të mira për të vazhduar në afat të gjatë kohe.
Përveç kontrollit të muskujve, fizioterapisti do t’ju ndihmojë për të vlerësuar biomekanikën e legenit dhe përcakton nëse mund të keni dobi prej ushtrimeve për muskujt ndihmues ose për ndonjë plantar të shputës për të korrigjuar gabimet biomekanike. Disa skolioza shkaktohen për shkak të gjatësive të pabarabarta të këmbëve, të cilat terapisti juaj duhet t’i korrigjojë me një ngritje të thembrës, etj.
Korrigjimi i këtyre deficiteve dhe të mësuarit e teknikave vetë-manaxhuese është çelësi i mirëmbajtjes së funksionit dhe pjesëmarrjes se vazhdueshme në aktivitetet ditore dhe sportive. Fizioterapisti do t’ju udhëzojë.
Çfarë rezultatesh mund të prisni?
Nëse keni skolioze që varion nga e lehta tek ajo mesatare, ju mund të prisni qe të arrini t’i ktheheni aktiviteteve normale ditore, sportit, etj. Rikthimi juaj në funksion është më premtues kur diagnostikoheni dhe trajtoheni në fazë të hershme.
Individët me skolioze të shkallës mesatare deri në lakime të theksuara të shtyllës kurrizore mund të kenë nevojë që të vendosin proteza ortopedike në mënyrë që të ndalojnë lakimin e mëtejshëm. Në disa raste më të rënda mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
Keshilla të tjera
Nëse keni shqetësime ose pyetje në lidhje me skoliozën, mund të kontaktoni fizioterapistin i cili në varësi të shkallës së seriozitetit të problemit mund t’ju adresojë për vizitë dhe tek mjeku përkatës.
Petrit Drini
Fizioterapist
+355 672847074
www.klinikabalance.com