Terapi

Klinika Balance Ofron Terapite e meposhtme

Elektroterapia (e njohur gjithashtu si stimulimi elektrik i muskujve) ushtrohet nëpërmjet një pajisjeje që shpërndan impulse elektrike në trupin e pacientit. Ky stimulim bëhet në mënyrë që të nxisë dhe lehtësojë procesin e shërimit të muskujve dhe rigjenerimin e indeve. Elektroterapia jo vetëm që është një metodë shumë e përhapur dhe e njohur që ushtrohet në fizioterapi, por mundet gjithashtu të përdoret edhe në fusha të tjera pasi ka shumë të mira terapeutike.

Përdorimi i elektroterapisë ka treguar që bën të mundur:

  • Relaksimin (qetësimin) e spazmave muskulore
  • Parandalimin dhe ndërprerjen e atrofizimit të muskujve për shkak të mospërdorimit të tyre
  • Përmirësimin e qarkullimit të gjakut
  • Ri-edukimin e muskujve duke përdorur stimulim në pika të caktuara
  • Ruan dhe përmirëson një numër lëvizjesh
  • Menaxhimin dhe reduktimin e dhimbjes (kronike, post-traume, dhe akute pas ndërhyrjeve kirurgjike)
  • Parandalimin e trombozave në vena të thella pas ndërhyrjeve kirurgjike
  • Lehtësimin e shërimit të plagëve

Pajisjet e përdorura për elektroterapi mundësojnë forma të ndryshme të valëve terapeutike. Një pajisje për stimulim elektrik përfshin elektroda që vendosen në zonën për t’u trajtuar dhe më pas aktivizohen, energjia elektrike që shkakton kontraktimin e muskujve. Ky kontraktim imiton lëvizjen natyrale të trupit gjatë aktiviteteve dhe parandalon atrofizimin e muskujve.

Elektroterapia mund të përdoret në fizioterapi për të trajtuar shumë probleme të ndryshme të pacienteve, përfshi këtu: shiatikun, fibromalgjinë, artritin, bursistin, dhimbjen dhe ënjtjen pas ndërhyrjes kirurgjike, komplikime të shoqëruara me diabetin, dhimbjet në bërryl, etj.

TENS (Transcutaneous Electrical Nerve Stimulation) shpesh përdoret si trajtim për dhimbjen kronike. Kryesisht TENS ndihmon në çlirimin e dhimbjes simptomatike duke nxitur nervat e ndjeshmërisë dhe duke stimuluar në këtë mënyrë mekanizmin e lehtësimit të dhimbjes dhe/ose sistemin opioid: ndjesia e pickimit të TENS bën të mundur pengimin e sasisë së dhimbjes që merret prej trurit dhe/ose TENS rrit nivelet e substancave që luftojnë dhimbjen në trup në mënyrë natyrale që quhen endorfina dhe enkefalina.

TENS është një teknikë e sigurtë dhe efektive dhe përfshin përdorimin e një pajisjeje që operon me bateri dhe që bën shpërndarjen përmes lëkurës nëpërmjet pllakave përcjellëse. Klinikisht është e rëndësishme që pacienti të mundet të gjejë frekuencën optimale për trajtim – që është e sigurtë që ndryshon nga një individ në tjetrin. Përcaktimi në pajisje dhe të pyeturit e pacientit nëse është shkalla “e duhur” nuk sjell me siguri maksimizimin e efektivitetit të trajtimit, edhe pse gjatë trajtimit, mund të arrihet deri diku lehtësim i dhimbjes.

Terapia me ultratinguj mund të përdoret si për probleme kronike ashtu edhe për ato akute dhe sugjerohet për të reduktuar kohën e shërimit për disa dëmtime në indet e buta. Zakonisht përdoret për rehabilitimin e muskujve, dëmtimin e tendinëve dhe ligamenteve, hematoma dhe edema. Valët e tingujve me frekuencë të lartë përqendrohen përreth zonës së dëmtimit duke lëvizur lehtë kokën e pajisjes së ultratingujve mbi zonën e dëmtuar.

Efektet mbi procesin inflamator dhe riparues

Ultratingujt mendohet se përshpejtojnë kohën normale të procesit shërues të inflamacionit duke tërhequr më tepër qeliza mast në zonën e dëmtuar. Kjo shkakton rritje në qarkullimin e gjakut që mund të jetë i dobishëm në fazën e ndërmjetme të dëmtimit të indeve.

Ultratingujt mundet gjithashtu të prodhojnë më tepër kolagjen – proteina kryesore përbërëse në indet e buta të tilla si tendinët dhe ligamentet. Në këtë mënyrë, ultratingujt përshpejtojnë fazën rigjeneruese të shërimit të indeve. Ultratingujt përmirësojnë mundësinë e shtrirjes së kolagjenit të maturuar duke krijuar një efekt pozitiv mbi cikatricet fibroze në inde që mund të formohen pas një dëmtimi.

Efekti termal

Duke qenë se valët ultratinguj kalojnë nga koka e pajisjes në lëkurë, ato shkaktojnë vibrime që prodhojnë nxehtësi tek indet përreth, veçanërisht tek ato që përmbajnë kolagjen. Rritja e temperaturës mundëson rritje në zgjatimin/shtrirjen e strukturave të tilla si ligamentet, tendinët, indet e cikatrizuara dhe kapsulat fibroze të artikulacioneve. Për më tepër, nxehtësia mund të ndihmojë në reduktimin e dhimbjes dhe spazmave muskulore që nxisin procesin e shërimit.

Terapia Tecar është pjesë e termoterapisë endogjene, në gjendje për të reduktuar konsiderueshëm kohën për rimëkëmbje dhe rehabilitim duke stimuluar aktivizimin e të gjitha proceseve natyrale riparuese të trupit. E gjithë kjo falë aplikimit të rrymës radio-frekuencë që shkakton një reagim termal tek indet dhe stimulon reagimin shërues natyral të trupit me efekte të menjëhershme anti-inflamatore dhe analgjesike mbi muskujt, tendinët, kartilazhet (kërcet) ose ligamentet e kockave. Dy sistemet e aplikueshme në këtë terapi, aftësisë mbartëse dhe rezistues, lejojnë operuesin që të rregullojë lehtësisht terapinë sipas llojit të patologjisë. Transferimi i mundësisë për mbartje për indet me përmbajtje të lartë uji (muskujt), transferim rezistues për indet me rezistencë të lartë dhe përmbajtje të ulët të ujit (kockat, tendinët, indet dhjamore).

Hapi i parë në këtë terapi është kontrolli i dhimbjes dhe reagimit ndaj inflamacionit. Qëllimi specifik për këtë hap të parë është krijimi i programit të rehabilitimit dhe përqendrohet kryesisht në reduktimin e dhimbjes dhe mekanizmat biologjike, ofron një mënyrë të vlefshme të administrimit të medikamenteve. Në këtë hap, përdorimi i pajisjes që mundëson administrimin ose krijimin e nxehtësisë në mënyrë të kontrolluar ndihmon fizioterapistin në mënyrë efektive.

Hapi i dytë ka për qëllim rikthimin e lëvizshmërisë së artikulacioneve. Në këtë hap, eksperienca dhe aftësitë e fizioterapistit janë thelbësore, për shkak se një përqasje shumë agresive ose tepër e lehtë mundet që në mënyrë respektive të shtojë dhimbjen ose ngurtësimin e trupit. Studimet e kryera sugjerojnë që rezultatet e sigurta dhe të menjëhershme mund të arrihen duke përdorur pajisje me një forcë elastike të kontrolluar që lejon fizioterapistin të kryejë përshtatjet e duhura. Elasticiteti dhe shtrirja mund të përmirësohen me ndihmën e pajisjeve të përshtatshme të dizajnuara për te aplikuar nxehtësinë.

Terapia Shockwave – Terapia me Valë goditëse ka disa emërtime nga të cilët më i njohuri është ai i quajturi “shockwave”. Terapia “shockwave”, me valë goditëse është një formë terapie e ushtruar nëpërmjet një pajisjeje që përdoret në ortopedi, fizioterapi, mjekësinë sportive, urologji, etj. Vlera kryesore e saj qëndron në çlirimin e shpejtë të dhimbjes dhe kthimin e lëvizshmërisë. Së bashku me faktin që është një terapi që s’ka nevojë për ndërhyrje kirurgjike dhe që s’ka nevojë për medikamente kundër dhimbjes, është një terapi ideale për të përshpejtuar rimëkëmbjen dhe kurimin e shkaqeve të ndryshme të dhimbjes akute ose kronike.

Terapia Shockwave përshpejton procesin shërues duke aktivizuar fuqitë vetë-shëruese të trupit, veçanërisht aty ku trupi nuk ka mundësi ta kryej vetë këtë. Kjo terapi stimulon metabolizmin dhe përmirëson qarkullimin e gjakut i cili bën të mundur që indet e dëmtuara të rigjenerohen dhe rrjedhimisht të shërohen. Trajtimi çliron dhimbjen duke dhënë një efekt analgjezie mbi zonën që trajtohet. Shërimi ndodh përgjatë disa trajtimeve duke filluar një reagim ndaj inflamacionit dhe vaskularizimin e zonës. Valët akustike me energji të lartë transmetohen nëpërmjet sipërfaqes së lëkurës dhe shpërndahen si rreze (në mënyre sferike) në trup. Trupi më pas reagon me rritje të aktivitetit të metabolizmit përreth zonës së dhimbjes. Kjo nxit dhe përshpejton procesin shërues dhe është veçanërisht i dobishëm për ata që vuajnë nga dhimbja kronike në thembër, shpatull, gju, tendinin e Akilit, bërryl, etj.

Magneto-terapia është bërë shumë e përhapur në fizioterapi, duke ndihmuar mijëra njerëz të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. Terapia me pulsime në fushën magnetike është e dizajnuar të përdoret për përmirësimin e një numri problemesh dhe sëmundjesh degjeneruese.

Magneto terapia funksionon mbi bazën e çekuilibrave elektrike në qelizë për të sjellë rigjenerim deri në një gjendje të normalizuar duke përmirësuar shkëmbimin e joneve. Magneto terapia ndikon në sjelljen e qelizës duke induktuar një fushë magnetike përreth dhe brenda qelizës. Rritja në energjinë elektrike në nivel qelizor lejon për një përthithje më të shpejtë të ushqyesve dhe eleminim më të shpejtë të mbetjeve. Kjo përmirëson sistemin metabolik, rrit furnizimin me gjak dhe oksigjen, duke aktivizuar dhe rigjeneruar qelizat në trup.

Aplikimi i magneto terapisë është i bazuar mbi shumë vite studimesh në mbarë botën të drejtuara nga shkencëtar të ndryshëm. Kjo terapi gjeneron fusha magnetike që pulsojnë me frekuenca të ulëta, dhe ndryshojnë në kohë dhe intensitet. Magneto terapia është e dobishme dhe ka vlera për shumë sëmundje, përfshi këtu: dhimbjen e mesit dhe të qafës, tërheqjet, artritet, problemet e rënda me gjurin dhe kaviljen, dhimbjen kronike dhe sëmundjet degjeneruese.

Terapia manuale është trajtimi “me duar” që ushtrohet për trajtimin e çrregullimeve që prekin sistemin muskulor-skeletor dhe nervor. Kjo terapi zakonisht përfshin:

  • Mobilizimin pasiv dhe manipulimin e artikulacioneve të shtyllës kurrizore dhe periferike
  • Teknika energjike të muskujve
  • Tërheqje pasive të indeve të kontraktuara
  • Teknika manuale relaksimi të muskujve
  • Mobilizimin e sistemit nervor

Trajtimi mobilizuar mund të variojë nga ai me lëvizje shumë të lehtë dhe amplitudë të vogël, të cilat mezi ndihen nga pacienti në rast se trajtimi kërkohet për dhimbjen, deri në lëvizje me amplitude të madhe nëpërmjet teknikave të ndryshme të cilat kanë për qëllim të përmirësojnë lëvizjen e pacientit.

Studimet tregojnë që trajtimi i hershëm i dëmtimeve me lëvizje të lehta në drejtim të dëmtimeve ndihmon në organizimin dhe rivendosjen e fibrave në procesin riparues, duke reduktuar kështu krijimin e adezioneve të padëshiruara dhe duke nxitur kthimin sa më parë të funksioneve normale.

Në probleme që zgjasin në kohë, për shembull artriti, ushtrohen mobilizime më të mëdha që ndihmojnë të ndikojnë dinamikat fluide në inde – pasi gjallëria, shëndeti dhe riparimi i indeve varen shumë nga furnizimi i tyre vaskular dhe limfatik.

Metoda e fashimit kinezio është një teknikë fashimi rehabilituese që është e dizajnuar për të lehtësuar procesin natyral shërues të trupit duke ofruar mbështetje dhe stabilitet për muskujt dhe artikulacionet pa kufizuar lëvizjet e trupit. Gjithashtu kjo metodë ofron manipulim më të gjatë të indeve të buta për të zgjatur përfitimet e terapisë manuale të ushtruar nga fizioterapisti. Fasha kinezio aplikohet duke u ngjitur dhe është e sigurt të mbahet për disa ditë. Kjo fashë apo ngjitës mund të trajtojë në mënyrë të suksesshme probleme të ndryshme ortopedike, neuro-muskulore, neurologjike dhe probleme të tjera shëndetësore. Metoda e fashimit kinezio është një teknikë fashimi terapeutike që i ofron pacientit jo vetëm mbështetjen që ata kërkojnë por edhe rehabilitim të problemit të tyre. Duke përcaktuar disa receptorë të sistemit somatik, fasha kinezio lehtëson dhimbjen dhe lehtëson drenazhimin limfatik duke ngritur lart lëkurën në nivele mikroskopike. Kjo ngritje formon përdredhje në lëkurë duke rritur kështu hapësirat ndërmjetëse dhe duke lejuar për reduktim të inflamacionit në zonën problematike.

Bazuar në shumë vite përdorimi në shëndetësi, fasha kinezio përdoret tek pacientet bazuar në nevojat e tyre pasi bëhet ekzaminimi. Rezultatet e ekzaminimit do të diktojnë aplikimin specifik të fashës kinezio si dhe trajtime të tjera të mundshme. Me përdorimin e një fashë të drejtë ose të modifikuar në formën e një “X”, “Y” ose forma të tjera, si dhe gjithashtu drejtimi dhe lloji i tërheqjes që aplikohet mbi fashën në momentin e ngjitjes, fasha mund të aplikohet në qindra mënyra dhe ka aftësinë te ri-edukojë sistemin neuro-muskulor, të reduktojë dhimbjen dhe inflamacionin dhe të ndihmojë të rikthejë trupin në gjendjen e tij më të mirë natyrale.

Vlerësimi është një proces kyç në trajtimin e çdo problemi dhe duhet të përfshijë testimin manual të muskujve, testimin e lëvizjeve, dhe çdo testim tjetër të veçantë ortopedik që mendohet të jetë i rëndësishëm. Informacioni i marrë prej vlerësimit mundëson të aplikohet protokolli i duhur se si të shtrihet dhe të ngjitet fasha kinezio. Kjo fashë ka rezultuar të ketë efekte pozitive fiziologjike mbi lëkurë, sistemin limfatik dhe atë qarkullues, muskuj, ligamente, tendinë dhe artikulacione. Mund të përdoret njëkohësisht me shumë trajtime apo metoda të tjera dhe është efektive gjatë fazës rehabilituese dhe kronike të një dëmtimi si dhe përdoret për masa parandaluese.

Posturologjia është studimi i gjithë sistemit postural (të qëndrimit). Ajo studion lidhjen ndërmjet asaj se si trupi njerëzor ndikon në posturë, dhe si postura reflektohet në funksionet e shumë pjesëve përbërëse të trupit. Kur ka çrregullime posturale ose çekuilibra, mund të shkaktohet dhimbje kronike. Në shumë raste një person i sëmurë ka dhimbje në zona të caktuara si rezultat i një çrregullimi postural që e çon trupin jashtë linjës së tij të duhur.

Për shembull, një person mund të ketë një këmbë që në mënyrë natyrale është më e shkurtër se këmba tjetër ose ka një legen të zhvendosur; që bëjnë që trupi të kryejë kompensime të caktuara. Vlerësimi postural realizohet nëpërmjet matjeve të ndryshme që i bëhen trupit. Rikthimi i posturës së duhur dhe biomekanikave në trup sjell lehtësimin e dhimbjes dhe mund të ndikojë pozitivisht në shumë probleme fiziologjike të tilla si: dhimbja e mesit, dhimbja e qafës, hernie diskale, migrena dhe dhimbja e kokës, pabarazitë në gjatësinë e këmbëve, etj.

Pasi trupi vendoset në linjën e duhur dhe arrin një ekuilibër, ai ka mundësi që të funksionojë në mënyrë korrekte. Aftësia e fizioterapistit është që të ndihmojë pacientët të largojnë problemet me dhimbjen kronike, duke bërë matje të sakta dhe interpretimet e duhura për posturën. Posturologjia lejon që fizioterapisti të shkoj një hap mbrapa dhe të shikoj simptomat e pacientit dhe të trupit nga një perspektivë holistike (në tërësi, mendore-trupore-emocionale). Pasi lokalizohet shkaku i dhimbjes, problemi mund të korrigjohet në mënyrë efektive dhe sistematike.