Fizioterapia për të lehtësuar dhimbjen e qafës
![Fizioterapia për të lehtësuar dhimbjen e qafës](https://klinikabalance.com/wp-content/uploads/2016/09/treatments_neck_stifness.jpg)
Drejtojuni fizioterapistit për t’ju ndihmuar që të lehtësoni dhimbjen e qafës dhe të riktheni lëvizjet e saj. Fizioterapia është çelësi për rimëkëmbjen tuaj, pavarësisht nga rrethanat në të cilat ndodheni.
Fiozioterapia përfshin trajtime pasive dhe aktive. Trajtimet pasive ju ndihmojnë që të qetësoheni dhe të relaksoni trupin tuaj. Ato gjithashtu përgatisin trupin për ushtrime terapeutike, e cila përbën pjesën aktive të fizioterapisë.
Fizioterapisti kryen trajtime pasive të tilla si:
- Masazhi i indeve të thella: Kjo është një teknikë që synon trajtimin e tensionit kronik në muskuj – tension në qafën tuaj që ndoshta është grumbulluar përgjatë stresit të përditshëm. Fizioterapisti ushtron presion direkt dhe fërkim për të çliruar tensionin në indet e buta (ligamente, tendin, muskuj).
- Terapitë me të ngrohtë dhe të ftohtë: Duke përdorur të ngrohtin, fizioterapisti kërkon që të ketë më shumë gjak në zonën që trajtohet pasi qarkullimi i rritur i gjakut sjell më shumë oksigjen dhe ushqyes të tjerë në atë zone. Gjaku gjithashtu është i nevojshëm për të larguar produktet mbetëse të krijuara prej spazmave të muskujve, dhe ndihmon në procesin shërues. Terapia me të ftohtë ngadalëson qarkullimin, duke ndihmuar në reduktimin e inflamacionit, spazmave të muskujve dhe dhimbjes. Fizioterapisti alternon terapitë me të ngrohtë dhe të ftohtë.
- TENS – stimulimi elektrik i nervave nëpërmjet lëkurës: Ky trajtim aplikohet nëpërmjet një pajisjeje që stimulon muskujt tuaj nëpërmjet rrymave të ndryshme elektrike (që nuk janë të rrezikshme). TENS ndihmon në uljen e spazmave të muskujve, dhe mund të rrisë prodhimin e endorfinës, që është ilaçi juaj natyral kundra dhimbjes.
- Tërheqja: Fizioterapisti do të përpiqet që të tërheqë dhe të mobilizojë kurrizin tuaj kështu që ju të ndjeni më pak dhimbje dhe të mund të lëvizni lirshëm. Fizioterapisti mund ta kryejë këtë procedurë në mënyre manuale ose duke përdorur pajisje për tërheqje mekanike.
- Ultratinguj: Duke rritur qarkullimin e gjakut, ultratingulli ndihmon në reduktimin e spazmave muskulore, dhimbjeve të mprehta, ënjtjeve dhe bllokimeve. Kjo bëhet duke dërguar valë tingujsh thellë në indet e muskujve duke krijuar një ngrohje të lehtë që përmirëson qarkullimin e gjakut dhe procesin e shërimit.
Në pjesën aktive të fizioterapisë, fizioterapisti do t’ju mësojë ushtrime të ndryshme për të punuar me fleksibilitetin, lëvizjet (mënyrën se sa thjeshtë lëvizin artikulacionet tuaja). Programi juaj i fizioterapisë përshtatet në mënyrë individuale, duke marrë parasysh gjendjen tuaj shëndetësore dhe historikun e saj. Ushtrimet tuaja mund të mos jenë të përshtatshme për një person tjetër që vuan po nga dhimbja e qafës.
Nëse është e nevojshme, do të mësoni se si të korrigjoni qëndrimin tuaj dhe të ndërthurni parimet ergonomike në aktivitetet tuaja ditore.
Është shumë e lehtë që të vazhdoni me zakonet tuaja negative që ju shkaktojnë dhimbje qafe si përkulja përpara në tavolinën e ngrënies apo atë të punës, kërrusja e shpatullave, etj. Fizioterapisti mund t’ju ndihmojë që t’i largoni këto zakone të këqija dhe të krijoni zakone të shëndetshme.
Këshilla për parandalimin e dhimbjes së qafës
Ndaloni dhimbjen e qafës përpara se të fillojë
Për të parandaluar dhimbjen e qafës, ju duhet të kujdeseni mirë për trupin tuaj dhe të praktikoni zakone të shëndetshme. Më poshtë do të gjeni 9 mënyra për të ndihmuar parandalimin e dhimbjes së qafës.
Për të parandaluar dhimbjen e qafës, ju duhet të:
- Reduktoni stresin dhe tensionin: Muskujt e tensionuar në qafë dhe shpatulla mund të shkaktojnë dhimbjen e qafës. Gjeni mënyra efektive për të reduktuar stresin tuaj (takimi me një mik, shëtitje, aktivitetet krijuese, etj.) dhe përdorini ato kur ndjeni se stresi po fillon të grumbullohet. Në mënyrë periodike, tërhiqni qafën tuaj dhe pjesën e sipërme të kurrizit ndërsa qëndroni ulur.
- Uluni dhe qëndroni në mënyrë korrekte: Qëndrimi i keq (i kërrusur) mund të shkaktojë dhimbje qafe. Shikoni se si qëndroni apo rrini ulur çdo ditë. Bëni pushim në tavolinën e punës për të bërë tërheqje anësore të qafës në drejtim të shpatullave.
- Kryeni ushtrime për qafën dhe trupin në mënyrë të rregullt: Ushtrimet aerobike janë shumë të dobishme veçanërisht dhe ju duhet që të përpiqeni të kryeni ato për rreth 30 minuta, 5 herë në javë.
- Mbani një peshë të shëndetshme: Kjo është një këshillë për një jetë të shëndetshme pasi shtylla juaj kurrizore është përgjegjëse për të mbajtur gjithë peshën e trupit. Duke mbajtur një peshë të mirë do t’ju ndihmojë që të kujdeseni për shtyllën kurrizore dhe të mos e sforconi atë.
- Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme: Një plan i shëndetshëm për t’u ushqyer do t’ju ndihmojë që të keni dhe një peshë të shëndetshme.
- Ndaloni pirjen e duhanit: Një këshillë tjetër për një jetë të shëndetshme është ndërprerja e pirjes së duhanit pasi duhani mund të ndikojë në kockat dhe muskujt tuaj dhe në pjesën cervikale të shtyllës kurrizore.
- Ngrini peshat e rënda në mënyrën e duhur: Nëse nuk doni të dëmtoni qafën apo ndonjë pjesë të kurrizit, mundohuni që të ngrini peshat e rënda me kujdes dhe ngadalë.
- Vendosni rripin e sigurimit: Rripi i sigurimit në makinë ju ndihmon për të parandaluar goditjet e menjëhershme të qafës (whiplash)
- Përdorni pajisjet sportive e duhura: Mbroni qafën tuaj gjatë kohës që luani sport, veçanërisht gjatë sporteve që mund të dëmtojnë lehtësisht qafën tuaj (p.sh. futbolli).
Kujdesi për qafën është një përpjekje që duhet bërë gjatë gjithë jetës. Ndryshimet në stilin e jetës janë rruga më e mirë për mirëqenie, dhe sigurisht aplikimi i ndryshimeve do të jetë i dobishëm më shumë se sa vetëm për qafën.
Nëse kjo listë ju duket e vështirë, përpiquni që të zbatoni disa këshilla me radhë, dhe mbani mend se ndryshimet e mëdha si ndërprerja e duhanit dhe humbja e peshës, kërkojnë përkushtim dhe vullnet.
Puna juaj do t’ju shpërblehet dhe ju do të keni një jetë të shëndetshme dhe shumë më pak raste të dhimbjes së qafës.
Ushtrime për të lehtësuar dhimbjen e qafës