Çfarë është fashiti plantar?

Fashiti plantar është një nga shkaqet më të shpeshta të dhimbjes së thembrës.
Fasha juaj plantare është një tufë e trashë fibroze indi lidhor që del nga sipërfaqja e poshtme e kockës së thembrës dhe zgjatet përgjatë shputës së këmbës në drejtim të gishtave të këmbës.
Fasha plantare vepron si kufizues pasiv për sheshimin e tepërt te harkut të shputës së këmbës. Kur fasha plantare zhvillon këputje të vogla ose inflamohet, kemi të bëjmë me atë që njihet si fashiti plantar.
Çfarë e shkakton fashitin plantar?
Fashiti plantar është një nga ato dëmtime që shfaqet papritur pa arsye të dukshme. Megjithatë, fashiti plantar shkaktohet prej njërit nga problemeve të mëposhtme.
Këto probleme përfshijnë dëmtime tërheqjeje ose shtypjeje. Fashiti plantar më shpesh ndodh në rastet e sporteve me vrapim, veçanërisht ata që ushtrojnë vrapimin me maja të gishtave dhe jo vrapimin me thembër.
Shpesh diagnostikohet në individë me biomekanikë të dobët të këmbëve që mbingarkojnë fashën plantare. Shputa e këmbës e sheshtë ose një kontroll i dobët i muskujve të harkut të shputës së këmbës janë dy shkaqet kryesore të fashitit plantar.
Fashiti plantar prej tërheqjes
Simptomat e fashitit plantar shfaqen zakonisht nëpërmjet forcave të “tërheqjes” mbi fashën plantare. Me fjalë të thjeshta, fasha plantare në mënyrë të përsëritshme tërhiqet më tepër se normalisht. Arsyeja më e shpeshtë për mbi-tërheqjen është një hark i zgjatur ose për shkak të biomekanikës së dobët të këmbës ose për shkak të dobësisë së muskujve të harkut të këmbës.
Fashiti plantar prej shtypjes
Llojet e fashitit plantar që shkaktohen prej shtypjes kanë zakonisht një histori traume. Vendosja e këmbës mbi një objekt të mprehtë që dëmton fashën plantare është trauma më e shpeshtë. Zona e dhimbjes së fashës plantare ndodhet nën harkun e shputës dhe jo nën thembër.
Cilat janë simptomat e fashitit plantar?
Dhimbja fillestare e fashitit plantar zakonisht ndihet nën thembër ose në harkun e shputës në mëngjes ose pas një pushimi. Dhimbja e thembrës përkeqësohet gjatë hapave të parë dhe përmirësohet gjatë ushtrimit të aktivitetit ndërsa kalon në proces nxehjeje.
Si përparon fashiti plantar?
Ndërsa fashiti plantar përkeqësohet, dhimbja do të jetë prezentë më shpesh. Ju mund të përcaktoni se në çfarë faze ndodheni duke përdorur udhëzimet e mëposhtme:
- Asnjë dhimbje në thembër – Normale!
- Dhimbje në thembër pas ushtrimeve.
- Dhimbje në thembër përpara dhe pas ushtrimeve.
- Dhimbje në thembër përpara, gjatë dhe pas ushtrimeve.
- Dhimbje në thembër gjatë tërë kohës. Përfshi dhe gjatë pushimit.
Kjo ecuri e simptomave vazhdon gjatë katër fazave të një dëmtimi tipik mbi-përdorimi. Trauma e mëtejshme dhe vonesa në shërim mund të shkaktojnë formimin e një kalcimome (kocke) përbrenda fashës plantare. Kur ndodh kjo, kocka pranë kockës së thembrës pëson një ndryshim që njihet si zgjatim i thembrës, i cili ka një periudhë rehabilitimi më të gjatë.
Si diagnostikohet fashiti plantar?
Fashiti plantar zakonisht diagnostikohet prej fizioterapistit në varësi të simptomave tuaja, historisë dhe ekzaminimeve mjekësore.
Pas konfirmimit të fashitit plantar, do të zbulohet pse jeni të predispozuar ndaj fashitit plantar dhe synohet të zhvillohet një plan trajtimi për të reduktuar probabilitetin për përsëritje të problemit.
Rrezet X mund të tregojnë kalcifikimet përbrenda fashës plantare ose tek hyrjet për në kalkaneus, që njihet si kalkaneal ose zgjatim i thembrës.
Skanimet me ultratinguj dhe rezonanca magnetike përdoren për të identifikuar ndonjë këputje/çarje të fashës plantare, inflaimim ose kalcifikim. Provat patologjike mund të identifikojnë spondilo-artrit, i cili mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me fashitin plantar.
Faktorët e riskut për fashitin plantar
Mundësia për të pasur probleme të fashitit plantar është më e lartë nëse ju jeni:
Aktiv – Sportet gjatë të cilave ushtrohet forcë mbi kockën e thembrës dhe indeve bashkëngjitur, veçanërisht nëse keni muskuj të shtrënguar të pulpës ose një kyç të bllokuar për shkak të një tërheqje në kyçin e këmbës, kufizojnë lëvizjen e kyçit të këmbës, p.sh. vrapimi, baleti, kërcimi dhe aerobi.
Mbi peshë – Ngritja e peshave të rënda shton tërheqjen dhe forcën e ushtruar mbi fashën plantare.
Shtatzënë – Pesha e shtuar dhe enjtja që shoqërohet gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë që ligamentet të bëhen më të lëshuara, gjë që mund të shkaktojë probleme mekanike dhe inflamacion.
Mbi këmbët tuaja – Nëse keni një punë që kërkon që të ecni shumë ose të qëndroni mbi sipërfaqe të ashpra (si për shembull punonjësit në fabrikë, mësuesit dhe kamerierët).
Shputë të sheshtë ose me hark të madh – Ndryshimet në harkun e këmbës tuaj ndryshojnë aftësinë e përthithjes së goditjeve dhe mund të tërheqin fashën plantare, e cila mundet më pas të përthithë forca të tjera.
Në moshë të mesme ose të vjetër – Me kalimin e moshës harku i shputës së këmbës mund të fillojë të bjerë – duke ushtruar forcë të tepërt mbi fashën plantare.
Me këpucë me mbështetëse të duhur.
Me muskuj të dobët të harkut të shputës së këmbës – Lodhja e muskujve lejon që fasha plantare të mbi-lodhet dhe të pësojë dëmtime.
Artriti – Disa lloje të artritit mund të shkaktojnë inflamim në tendinët në fund të këmbës tuaj, të cilat mund të shkaktojnë fashit plantar.
Diabeti – Megjithëse mjekët nuk e dinë arsyen, fashiti plantar ndodh më shpesh te personat që vuajnë nga diabeti.
Trajtimi i fashitit plantar
Fakti pozitiv është që fashiti plantar mund të trajtohet në mënyrë të suksesshme. Rreth 90 për qind e personave me fashit plantar përmirësohen në mënyrë të konsiderueshme brenda dy muajve të trajtimit fillestar.
Nëse fashiti plantar vazhdon për disa muaj pas trajtimit konservator, doktori mund të injektoj në thembër medikament steroid anti-inflamator (kortikosteroid). Injeksionet me kortizon kanë rezultuar të kenë dobi afat shkurtra, por në fakt ato vonojnë përmirësimin në kohë më të gjatë, që do të thotë që ju mund të vuani me gjatë.
Për shkak të biomekanikës së dobët, që është dhe shkaku kryesor i fashitit plantar, është e rëndësishme që të vlerësohet me kujdes dhe të korrigjohet biomekanika e shputës së këmbës për të parandaluar episode të fashitit plantar në të ardhmen ose zhvillimin e një zgjatimi kockor në thembër.
Fizioterapisti është eksperti për vlerësimin e këmbës dhe korrigjimin e dinamikës dhe biomekanikës së saj. Studimet kanë treguar që ka në thelb 8 faza që duhen kaluar për të rehabilituar në mënyrë efektive fashitin plantar dhe të parandalohet ripërtëritja. Këto janë:
Faza 1 – Mbrojtja fillestare ndaj dëmtimit: Këshilla për lehtësimin e dhimbjes & Anti-inflamatore
Ashtu si dhe në rastin e shumë dëmtimeve të indeve të buta, trajtimi fillestar është Pushim, Akull dhe Mbrojtje.
Në fazën fillestare me shumë mundësi nuk do jeni në gjendje të ecni pa pasur dhimbje. Qëllimi i parë është që të pushoni nga aktivitetet që ju vendosin në postura të tilla që shkaktojnë dhimbje në këmbë. Kjo do të thotë që në radhë të parë, ju duhet të ndërprisni çdo lëvizje ose aktivitet që provokon dhimbjen në këmbë.
Akulli është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të reduktuar dhimbjen dhe ënjtjen. Vendosni për 20-30 minuta çdo 2 deri 4 orë përgjatë fazës fillestare ose kur vini re që zona e dëmtuar është e ngrohtë ose e nxehtë. Një shishe me ujë të ngrirë mund t’ju shërbejë për të rrotulluar këmbën mbi të duke ju dhënë njëkohësisht një lloj masazhi në shputën e këmbës.
Mjekime anti-inflamatore (nëse tolerohen) mund t’ju ndihmojnë që të reduktoni dhimbjen tuaj dhe ënjtjen. Megjithatë, është më mirë të shmangni ilaçe anti-inflamatore gjatë 48-72 orëve të para kur ato mund të nxisin hemorragji të mëtejshme. Shumë persona mund të tolerojnë paracetamolin si një medikament për reduktimin e dhimbjes.
Për të mbështetur dhe mbrojtur fashën plantare, ju mund të keni nevojë të vendosni një mbajtëse për fashën plantare, kupë për thembrën ose mund të fashoni shputën e këmbës për të lehtësuar dhimbjen. Siç përmendet dhe më sipër, shkaku i fashitit plantar do të përcaktojë dhe se çfarë ju ndihmon më tepër. Fizioterapisti është në dispozicion për t’ju udhëzuar.
Fizioterapisti mund t’ju udhëzojë dhe të përdori një numër teknikash për lehtësimin e dhimbjes përfshi këtu dhe mobilizimin e artikulacionit në rastin e kyçit të bllokuar, masazhin, elektro-terapinë, etj., për t’ju ndihmuar gjatë kësaj faze të dhimbshme.
Faza 2: Rikthimi i lëvizjeve të plota
Nëse e mbroni fashën plantare të dëmtuar në mënyrën e duhur, indet e dëmtuara do të shërohen. Strukturat e inflamuara do të rimëkëmben kur të mbrohen nga dëmtime të mëtejshme, të cilat mund t’ju ndihmojnë për të shmangur ndryshime degjeneruese afat gjata.
Fashiti plantar mund të ketë nevojë për disa javë (deri në disa muaj) për t’u shëruar dhe ndërsa pritet që të formohen dhe maturohen indet e reja të dëmtuara, të cilët duan një kohë të paktën prej gjashtë javësh. Gjatë kësaj periudhe duhet të keni për qëllim që në mënyrë optimale të rimodeloni indet e dëmtuara për të parandaluar një cikatrice të keq formuar e cila mund të bëhet si nyje ose me shumë mundësi të pësojë këputje përsëri në të ardhmen. Është e rëndësishme që indet e dëmtuara apo të cikatrizuar të zgjaten dhe të orientohen nëpërmjet masazhit, tërheqjeve të lehta dhe ushtrimeve të lehta.
Në shumicën e rasteve, fizioterapisti identifikon kycet e bllokuara në shputë dhe kyçin e këmbës që kanë nevojë të lirohen për t’ju ndihmuar që të mos keni mbi-ngarkesë në fashën plantare. Një shenjë e kyçit të bllokuar mund të jetë përkulja e kufizuar e kyçit të këmbës. Fizioterapisti ju udhëzon në çdo hap.
Faza 3: Rimarrja e kontrollit të muskujve të harkut të këmbës
Harku i shputës së këmbës në mënyrë dinamike kontrollohet nëpërmjet muskujve të rëndësishëm të harkut të këmbës, të cilat mund të jenë të dobët ose mund të kenë rezistencë të ulët. Këto muskuj të këmbës kanë një rol të rëndësishëm pasi shërbejnë si baza kryesore e qëndrueshme dhe dinamike për këmbën tuaj dhe parandalojnë ngarkesën e tepërt mbi fashën tuaj plantare.
Çdo problem apo pengesë do të jetë një pjesë e rëndësishme e rehabilitimit tuaj. Fizioterapisti është ekspert në vlerësimin dhe korrigjimin e kontrollit dinamik të shputës së këmbës. Ai mund t’ju ndihmojë për të korrigjuar biomekanikën normale të shputës së këmbës dhe t’ju udhëzojë për ushtrimet lidhur me stabilitetin e këmbës nëse shihet e nevojshme.
Faza 4: Rikthimi i kontrollit normal të muskujve të pulpës dhe të këmbës
Ju mund të keni vështirësi të kuptoni cdo gjë, por të gjithë muskujt e këmbës (pulpë, kofshë dhe vithe) luajnë një rol të rëndësishëm në kontrollin e harkut të shputës dhe funksionit të tij normal. Fizioterapisti vlerëson funksionin e muskujve të këmbës dhe ju jep trajtimin e duhur ose ushtrimet që duhet të kryeni.
Faza 5: Rikthimi i biomekanikës normale të këmbës
Biomekanika e këmbës tuaj është faktori kryesor i predispozuar për fashitin plantar. Pas vlerësimit të biomekanikës mund t’ju rekomandohet një mbështetëse e butë ose një mbështetëse e posaçme për ju e rekomanduar nga një ortoped.
Faza 6: Përmirësoni vrapimin dhe teknikën e vendosjes së këmbës në tokë
Nëse fashiti plantar është shkaktuar prej sportit, zakonisht gjatë aktiviteteve të përsëritshme ndodh që ushtrohet një forcë e madhe mbi fashën plantare.
Në mënyrë që të parandalohet ripërtëritja kur të rifilloni sportin, fizioterapisti ju udhëzon teknika dhe ushtrime korrigjimi për të lënë këto pjesë përbërëse të rëndësishme të rehabilitimit dhe për të parandaluar njëkohësisht ripërtëritjen si dhe përmirësimin tuaj në ushtrimin e sportit.
Programi do të varet nga lloji i sportit, stilit të jetës, shpejtësia, aftësia elastike për t’ju përgatitur ju për trajnime të lehta specifike për sportin.
Faza 7: Kthimi në sport ose punë
Në varësi të sportit ose punës që kryeni, do t’ju duhet që ti nënshtroheni një regjimi stërvitjeje me ushtrime që lidhen veçanërisht me sportin ose punën për t’ju krijuar mundësinë që t’i riktheheni sportit ose punës në gjendje sa më të sigurt.
Fizioterapisti do të diskutojë qëllimet me ju, programin dhe kohën e duhur me ju për të mundësuar një kthim të plotë për sportin ose punën që kryeni.
Faza 8: Analiza e shputës së këmbës
Shpesh janë këpucët me formë jo të përshtatshme që mund të shkaktojnë dëmtimin. Kërkoni këshillën e një profesionisti në fushën e shëndetit për sa i përket këtij problemi.
Ushtrime për fashitin plantar
Sapo enjtja dhe dhimbja të fillojnë të largohen është e rëndësishme që të fillohet programi për ushtrimet e tërheqjes. Tërheqja duhet të jetë e lehtë dhe zgjatur në kohë, e ushtruar ngadalë në mënyrë statike (pa lëvizur). Çdo tërheqje duhet të kryhet tre herë në ditë duke e mbajtur pozicionin e tërheqjes për një minutë dhe duke e përsëritur pesë herë në çdo seancë. Ushtrimet e tërheqjes duhet të përfshijnë muskujt e shputës së këmbës.
Ushtrimet e tërheqjes:
Tërheqja e gjatë duke qëndruar ulur 1) Uluni mbi dysheme me këmbët e shtrira përpara 2) Vendosni një peshqir rreth pjesës së sipërme të shputës së këmbës së dëmtuar 3) Tërhiqeni peshqirin në drejtim nga vetja deri sa të ndjeni një tërheqje përgjatë pjesës fundore të shputës së këmbës 4) Mbajeni për 30 sekonda dhe më pas lërojeni – përsëriteni 5 herë
Tërheqja e tendinit të Akilit 1) Qëndroni me fytyrë përballë një muri dhe vendosni duart drejtë mbi mur 2) Bëni një hap mbrapa me këmbën e dëmtuar duke e mbajtur shputën të puthitur me dyshemenë 3) Lëvizni këmbën tjetër përpara dhe ngadalë mbështetuni pas murit 4) Ndaloni kur të ndjeni një tërheqje përgjatë pulpës 5) Mbajeni për 30 sekonda dhe më pas qetësohuni – përsëriteni 5 herë
Tërheqja në shkallë 1) Qëndroni mbi një shkallë duke mbështetur pjesën kockore të shputës pranë gishtave 2) Mundohuni të mbani ekuilibrin 3) Ulni ngadalë thembrën e këmbës së dëmtuar deri sa të ndjeni një tërheqje 4) Mbajeni për 30 sekonda dhe më pas qetësohuni – përsëriteni 5 here
Rrotullimi 1) Rrëshqisni zonën e prekur të shputës (të zbathur) përpara dhe mbrapa nga maja deri tek thembra mi një shishe ose top tenisi
2) Përsëriteni dhjetë herë në të dyja drejtimet
Tërheqja e gishtave 1) Uluni mbi dysheme me gjunjët e përkulur dhe shputat e puthitura drejtë mbi dysheme 2) Tërhiqini gishtat mbrapa në këmbën e dëmtuar deri sa të ndjeni një tërheqje përgjatë harkut të shputës 3) Mbajeni për 30 sekonda dhe më pas qetësohuni – përsëriteni 5 herë
Pasi të arrihet fleksibiliteti i muskujve dhe dhimbja të largohet, qëllimi tjetër është të forcohen muskujt e përfshirë. Një program për forcimin e muskujve do t’ju ndihmojë që të parandaloni ripërtëritjen e këtij problemi. Ushtrimet e mëposhtme zakonisht duhen kryer tre herë në ditë, 30 herë për çdo seancë në mënyrë që të arrihet një mbështetje muskulore për fashën plantare të dobësuar.
Ushtrime forcimi: 1) Përdridhni gishtat duke përdorur një peshqir për të forcuar muskujt e shputës 2) Ngrita e thembrës (qendrore dhe nga të dyja anët)
Ata që vuajnë nga fashiti plantar mund t’i rikthehen stilit te tyre normal të jetës pa dhimbje me anë të një programi rehabilitimi të përshtatshëm. Rikthimi në aktivitet duhet të jetë gradual dhe të udhëhiqet prej dhimbjes tuaj. Këpucët e duhura dhe programi për tërheqje dhe forcim mund t’ju ndihmojë në parandalimin e këtij problemi.
Për më shumë informacion apo këshilla të detajuara rreth fashitit plantar, ju lutem kontaktoni Klinikën BALANCE.
Petrit Drini
Fizioterapist
+355 672847074
www.klinikabalance.com