Karantina dhe problemet e aparatit levizes
Karantina dhe problemet me aparatin lëvizës
Ndodhemi në mes të një situate të komplikuar për sa i takon problemeve që karantina shkakton në aparatin tonë lëvizës, kyçe, muskuj, ligamente, kapsulat e kyçeve, qarkullimi i gjakut, funksjonimi i sistemit linfatik, etj. Trupi funksionon si një njësi e vetme. Në mënyrën se si është ndërtuar dhe si funksionon trupi, lëvizja është baza e mirë funksionimit të tij. Të gjitha sistemet anatomike që përbëjnë trupin tonë ndikohen shumë nga lëvizja ose mos lëvizja. Mungesa e një lëvizje të mjaftueshme shkakton përkeqësimin e qarkullimit të gjakut, ngadalësimin e lëvizjes së limfës, atrofizimin e muskujve, humbjen e lëvizshmërisë së kyçeve, çrregullimin ei gjumit, çrregullimin e zakoneve të të ushqyerit pra thënë shkurt përkeqësimin e kondicionit të përgjithshëm fizik. Të gjitha këto vlejnë edhe për njerëzit totalisht të shëndetshëm.
Imagjinoni tani se çfarë ndodh me ata persona që kanë probleme ekzistuese të shëndetit ose personat e moshës së tretë gjendja e të cilëve përkeqësohet shumë shpejt nga një situatë Karantine. Akoma nuk kemi përmendur faktorin STRES që në një situatë të tillë është si pika e fundit e një kove të mbushur plot dhe që e bën të derdhet. Stresi është pjesë e pandashme e jetës sonë dhe trajtimi i tij ka vetëm një zgjidhje: menaxhim dhe vetëm mirë menaxhim.
Por në një situatë të vështirë ku vazhdimësia e shëndetit dhe mirëqenies tonë është e pasigurtë, ka vend për tu shqetësuar pra edhe për një Stres në rritje.
Stresi çrregullon punën e zemrës dhe qarkullimin e gjakut, luhat parametrat bazik si tensionin arterial, nivelin e sheqerit në gjak, ul imunitetin.
E gjithë kjo që përshkruam më sipër ka ndikim në mirëfunksionimin tonë dhe në veçanti në përkeqsimin e punës së aparatit lëvizës. Nëse kjo gjendje zgjat më shumë se tre muaj, në trupin tonë fillojnë procese degjenerative të pa kthyeshme. Ndryshimet strukturale në indet tona do ta çojnë trupin drejt një situate ku nuk ka më vetëm dhimbje në pjesë të caktuara, por një gjendje të përgjithshme maleze ku mbizotëron ndjenja e lodhjes dhe pafuqisë, marrje mëndsh, dhimbje të forta koke, qafe e të tjera.
Pjesa më e madhe e njerëzve provojnë të lëvizin në mjediset ku jetojnë ose të bëjnë ushtrimet në kushte shtëpie. Kjo ndihmon pjesërisht. Për shumë të tjerë kjo sjell problem për shkak të mos pasjes së kushteve të pështatshme, hapësirës së vogël, ngrohjes së muskujve dhe kyçeve para fillimit të ushtrimeve dhe rrjedhimisht dëmtime të lehta në kyçe, muskuj, ligamente, menisqe.
Kthimi tek lëvizja e mjaftueshme ngelet çelësi i kthimit në normalitet. Mos nxitoni të rimerrni ritmin që keni pasur përpara karantinës. Kjo vjen vetevetiu pas 3-4 javësh. Një nxitim për të rifituar gjendjen sportive të para karantinës do të shkaktojë dëmtime të aparatit lëvizës, sforcime, tërheqje muskulare, irritime të kyçeve mbajtëse sidomos gjunjëve.
Moti i nxehtë nuk favorizon lëvizjet e shpejta dhe ndihmon në dëmtimet muskualare për shkak të dehidratimit që ndodh në trupin tonë. Pini sa më shumë ujë gjatë ditës, eleminoni mjediset me rryma të ftohta të ajrit të kondicionuar. Qëllimi i ushtrimeve është mbajtja në lëvizje e gjithë trupit dhe sidomos ruajtja e fleksibilitetit në përgjithësi. Fillimi i shtangësisë në trup fillon shumë ngadalë dhe shpesh jemi të prirur ta mohojmë që ekziston. Por fillimi i shtangësisë është vetëm fillimi i një procesi që do të rrezultojë me kthimin e dhimbjeve në aparatin lëvizës. Bëni kujdes me posturën, mënyrën si qëndroni ulu ose shtrirë. Një kurriz i harkur për një kohë të gjatë përpara kompjuterit, përdorimi jo i duhur I telefonit me qafën e përkulur përpara dhe një pozicion shtrirë me jastëk të medhenj poshtë kokës dëmton shtyllën kurrizore. Shumica e njerëzve nuk është e vetëdijshme për mënyrën se si merr frymë. Një frymëmarrje e thellë ndihmon në oksigjenimin e mirë të gjithë trupit dhe mban larg lodhjen e përgjithshme. Mundohuni të fitoni kthjelltësinë dhe vetëkontrollin mbi situatën tuaj dhe të riktheni besimin që çdo gjë do të rregullohet më së miri. Shpresojmë që situata me Covit 19 apo të tjera lloje virusesh të zgjidhet sa më parë, por deri atëhere jemi të detyruar ti nënshtrohemi qëndrimeve në karantinë për ata persona që preken nga virusi famëkeq. Moto e klinikës BALANCE është: The Best position is next position (pozicioni më i mirë është lëvizja)
Petrit Drini
Fizioterapist
Klinika BALANCE
+355 672847074
www.klinikabalance.com
The best positin is the next position