Problemet e shpatullës: Pjesa 1- Tendiniti i shpatullës

Çfarë është tendiniti i shpatullës? 
Tendiniti i shpatullës është një dëmtim i shkaktuar prej inflamacionit të tendinëve në manshetën rrotator (rotator cuff) të shpatullës. Inflamacioni nuk shfaqet gjithmonë në dëmtimet e tendinëve të shpatullës, për këtë arsye ky grup i dëmtimeve njihet në mjekësi si tendinopati.
Çfarë e shkakton tendinitin e shpatullës?
Shkaku më i shpeshtë i tendinitit të shpatullës është përsëritja e mikro traumave mbi tendinët e artikulacionit të shpatullës. Zakonisht nuk përbën shkak një traumë që ndodh vetëm një herë.
Shpatulla e ngrirë, ku tendini i manshetës rrotatore (rotator cuff) ngjitet me kockën akromion, nuk ndodh gjatë funksionit normal të shpatullës. Megjithatë kur ndodhin bllokime të përsëritura të shpatullës, tendini i manshetës rrotatore inflamohet dhe enjtet, duke shkaktuar atë që quajmë tendiniti i shpatullës.
Cilat janë simptomat e tendinitit të shpatullës?
Tendiniti i shpatullës zakonisht ka simptomat e mëposhtme:
- Kërcitje në shpatull dhe/ose dhimbje në harkun e shpatullës kur krahu ngrihet në lartësinë e shpatullës.
- Dhimbje kur shtriheni duke u mbështetur në shpatullën e lënduar ose kur ngrini pesha me krahun e mbajtur drejt.
- Dhimbje ose kërcitje në shpatull kur lëvizni dorën mbrapa kurrizit ose kokës.
- Dhimbje në shpatull dhe pjesën e sipërme të krahut (pothuaj deri tek bërryli).
- Ndërsa tendiniti i shpatullës përparon, dhimbja në shpatull mund të ndihet edhe kur qëndroni pa lëvizur.
Si diagnostikohet tendiniti i shpatullës?
Fizioterapisti diagnostikon tendinitin e shpatullës bazuar në simptomat tuaja dhe historikun e tyre si dhe në bazë të disa provave dhe analizave klinike.
Skanimi me ultratinguj është metoda më e preferuar për të verifikuar tendinitin e shpatullës dhe dëmtimet që mund ta shoqërojnë të tilla si bursiti i shpatullës.
Rrezet X nuk mund të identifikojnë tendinitin e shpatullës por mund të jenë të nevojshme për të identifikuar kalcifikime të mundshme të kockës në hapësirën subakromiale që mund të jetë dhe shkaku i tendinitit tuaj (shih figurën).
Cila është prognoza për tendinitin e shpatullës?
Tendiniti i shpatullës është një çrregullim progresiv që shpesh ekziston së bashku me bursitin e shpatullës ose tendinitin bicipital dhe mund të çoje në tendinitin kalcifik ose këputje të manshetit rrotator, për të cilat mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjike në rast se neglizhohen apo nuk trajtohen në mënyrën e duhur.
Ajo që duhet të dini dhe që është pozitive mbetet fakti që shumë prej tendiniteve të shpatullës mund të trajtohen në mënyrë të suksesshme.
Për shkak se bllokimi i shpatullës (shpatulla e ngrirë) është shkaku kryesor i tendinitit të shpatullës është shumë e rëndësishme që të vlerësohet dhe korrigjohet me detaje bio-mekanika e shpatullës për të parandaluar episode bllokimi të mëtejshme dhe rrjedhimisht përsëritje të tendinitit.
Fizioterapisti në këtë rast është eksperti i duhur për vlerësimin e shpatullës dhe korrigjimin e bio-mekanikës. Prandaj është e rëndësishme që të këshilloheni me të në çdo rast.
Trajtimi i tendinitit të shpatullës
Nga kërkimet shkencore të kryera, ka rezultuar që janë kryesisht 7 faza të cilat duhet të kalojnë për të rehabilituar me efektivitet tendinitin e shpatullës dhe për të parandaluar përsëritjen e tij. Këto janë si më poshtë:
Faza 1: Mbrojtja menjëherë pas dëmtimit: Lehtësimi i dhimbjes & Këshilla anti-inflamatore
Ashtu si dhe në shumë raste të dëmtimeve të indeve të buta, trajtimi fillestar është Pushim, Akull, dhe Mbështetje.
Në fazën fillestare me shumë mundësi nuk do të jeni në gjendje të ngrini krahun lart ose të flini rehat. Qëllimi i parë është që t’ju japim pushim aktiv nga qëndrimet dhe lëvizjet që provokojnë dhimbjen. Kjo nënkupton që ju duhet të ndaloni të kryeni lëvizjet ose aktivitetet që provokojnë dhimbje në shpatull dhe të shmangni çdo gjë që shkakton dhimbje.
Akulli është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të reduktuar dhimbjen dhe ënjtjen. Vendosni akull për rreth 20-30 minuta çdo 2-4 orë gjatë fazës fillestare ose deri kur të vini re se zona e dëmtuar nuk është e nxehtë apo e ngrohtë.
Mjekimi me anti-inflamator (nëse tolerohen) dhe substanca natyrale mund të përdoren për të lehtësuar dhimbjen dhe enjtjen. Megjithatë, është më mirë që të shmanget përdorimi i anti-inflamatorëve gjatë 48-72 orëve të para pasi ato mund të nxisin hemorragji të mëtejshme. Shumë njerëz mund të tolerojnë paracetamolin si një mjekim për lehtësimin e dhimbjes.
Për të mbështetur dhe mbrojtur dëmtimin tuaj të tendinit, ju mund të keni nevojë që të mbani një mbajtëse të krahut ose duhet të vendosni fasha/shirita ngjitës në shpatull për të lehtësuar dhimbjen. Në disa raste, kjo do të thotë që mund të keni nevojë të flini në pozicion pak të ngritur ose të mbështetur me jastëkë. Fizioterapisti është personi i duhur për t’iu udhëzuar në këto raste.
Gjithashtu fizioterapisti ju udhëzon dhe përdor një numër teknikash për lehtësimin e dhimbjes duke përfshirë mobilizimin e artikulacioneve, masazhin, etj., për t’ju ndihmuar ju gjatë fazës së dhimbjes.
Faza 2: Rifitimi i lëvizjeve të plota
Nëse ju i mbroni tendinët e shpatullës së dëmtuar në mënyrën e duhur, indet e dëmtuara do të shërohen. Strukturat e inflamuara (p.sh. tendiniti, bursa) do të përmirësohen nëse janë të mbrojtura ndaj dëmtimeve të mëtejshme.
Tendiniti i shpatullës mund të ketë nevojë për disa javë që të shërohet pasi duhet që të pritet që të formohen dhe maturohen indet e dëmtuara (proces ky që zgjat rreth gjashtë javë). Gjatë kësaj kohe, qëllimi juaj është që në mënyrë optimale të rimodeloni indin e dëmtuar për të parandaluar formimin e cikatricave të këqija në inde që mund të bëhen si gunga ose mund të ri-këputen në të ardhmen.
Është e rëndësishme që të zgjaten dhe të orientohen indet e dëmtuara të cikatrizuar nëpërmjet mobilizimit të artikulacioneve, masazhit, tërheqjeve të muskujve dhe ushtrimeve të lehta aktive të ndihmuara. Mobilizimet e artikulacioneve që realizohen nëpërmjet asistencës së fizioterapistit, do t’ju përmirësojnë gamën e lëvizjeve më shpejtë dhe në afat të gjatë përmirëson rezultatet funksionale tuajat.
Në shumë raste, zhvillohet një shtrëngim afat shkurtër ose afat gjatë i kapsulës së artikulacionit të shpatullës (zakonisht posterior) dhe të disa muskujve kompensues. Këto struktura duhen tërhequr për të lejuar lëvizjen normale.
Shenjat të cilat tregojnë se keni zgjatim të plotë të indeve të buta përfshijnë mundësinë për të lëvizur shpatullën në disa lëvizje të plota. Në fazën fillestare, kjo mund të duhet të bëhet në mënyrë pasive nëpërmjet fizioterapistit. Ndërsa përmirësoheni, ju do të jeni në gjendje të kryeni lëvizjet me anë të fuqisë së muskujve tuaj.
Fizioterapisti ju udhëzon në cdo hap të këtij procesi.
Faza 3: Rimerrni kontrollin e shpatullës
Kocka e shpatullës (scapula) është baza e lëvizjeve të shpatullës dhe krahut tuaj. Skapula juaj ka një rol jetësor pasi është baza e sheshtë kryesore dinamike që bashkon krahun me murin e kraharorit.
Lëvizja normale e skapulës – e njohur si ritmi skapulo-humeral – është e nevojshme për funksionim pa dhimbje dhe të fuqishëm të shpatullës. Një ritëm skapulo-humeral jo i mirë është shkaktari kryesor për bllokimin e shpatullës (shpatullën e ngrirë). Çdo mangësi është një komponent i rëndësishëm i rehabilitimit tuaj.
Fizioterapisti është eksperti për vlerësimin dhe korrigjimin e ritmit skapulo-humeral. Fizioterapisti është në gjendje të korrigjojë lëvizjen normale të shpatullës tuaj dhe t’ju mësojë ushtrime për stabilizimin e shpatullës.
Faza 4: Riktheni funksionin normal Qafe-Skapul-Kraharor-Shpatull
Mund t’ju duket e vështire për ta kuptuar, por qafa juaj dhe pjesa e sipërme e kurrizit (pjesa e kraharorit e shtyllës kurrizore) janë shumë të rëndësishme në rehabilitimin e dhimbjes dhe dëmtimit të shpatullës.
Çrregullimet e qafës ose të shtyllës kurrizore nuk shkaktojnë vetëm dhimbje direkt në shpatull, por mund të ndikojnë në energjinë që një nerv furnizon muskujt tuaj duke i bërë ato të dobët. Strukturat e dhimbshme të shtyllës kurrizore që shkaktohen prej posturës (qëndrimit) të keq ose dëmtimeve nuk u sigurojnë muskujve të shpatullës më një bazë të fortë dhe pa dhimbje mbi të cilën të mund të veprojnë.
Në shumë raste, veçanërisht në shpatullën kronike, disa trajtime që ushtrohen në pjesën e sipërme të qafës ose kurrizit janë të nevojshme për të lehtësuar dhimbjen, përmirësuar lëvizjen e shpatullës dhe për të ndaluar kthimin e dhimbjes ose dëmtimit.
Fizioterapisti është në gjendje të vlerësojë qafën dhe pjesën e shtyllës kurrizore të kraharorit si dhe t’ju japë trajtimin e nevojshëm.
Faza 5: Rimarrja e fuqisë dhe funksionit të manshetit rrotator (rotator cuff)
Mansheti rrotator është grupi më kritik i kontrollit të shpatullës dhe stabilitetit të muskujve. Përvec roleve të tjera, mansheti rrotator ruan “qendrën” e artikulacionit të shpatullës. Me fjalë të tjera, e mban nyjën e shpatullës në qendër të kapsulës. Kjo parandalon bllokimet dhe dëmtimet prej zhvendosjeve.
Mansheti rrotator gjithashtu mundëson rrëshqitjen e nyjës së shpatullës në kapsulë për të lejuar lëvizje të plotë të shpatullës.
Mund të duket e çuditshme fakti që nuk përpiqeni të rimerrni forcën e manshetit rrotator deri në një fazë të mëvonshme të rehabilitimit. Megjithatë, nëse një strukturë tendini dëmtohet, duhet lejuar më parë shërimi përpara se ta sforcojmë atë strukturë me ushtrime force.
Si rrjedhojë, studimet kanë zbuluar rëndësinë e forcimit të muskujve të manshetit rrotator me anë të një programi të suksesshëm të rehabilitimit të tendinitit të shpatullës. Ushtrimet për manshetën rrotator duhet që të progresojnë si nga ana e ngarkesës ashtu dhe të pozicionit për të akomoduar tendinët e dëmtuar të manshetit rrotator.
Fizioterapisti ju përgatit programin më të përshtatshëm të ushtrimeve që duhen për forcimin e manshetit rrotator.
Faza 6: Riktheni shpejtësinë, fuqinë, përpikmërinë dhe shkathtësinë
Nëse tendiniti i shpatullës është shkaktuar prej sportit, kjo ndodh zakonisht gjatë aktiviteteve me shpejtësi të lartë, të cilat ushtrojnë forcë të madhe mbi trupin tuaj (kontraktuese dhe jo-kontraktuese), ose veprime përsëritëse.
Në mënyrë që të parandaloni një përsëritje kur t’i ktheheni sportit, fizioterapisti ju udhëzon me ushtrime për të trajtuar rëndësinë e këtyre komponenteve të rëndësishëm të rehabilitimit për të parandaluar përsëritjen dhe për të përmirësuar performancën sportive.
Në varësi të sportit ose stilit të jetës, programi i ushtrimeve do të përshtatet për t’ju përgatitur për stërvitje të caktuara për sporte.
Faza 7: Kthimi në sport ose punë
Në varësi të kërkesave të sportit ose punës, ju do të duhet të kryeni ushtrime specifike dhe të ndiqni stërvitje progresive për të mundësuar një kthim të sigurtë dhe pa dëmtime për në sportin apo punën tuaj.
Sportet që përfshijnë pozicione të krahëve mbi kokë kanë incidenca të larta të tendinitit të shpatullës. Teknika juaj duhet të vlerësohet prej fizioterapistit dhe/ose trainierit të sportit. Fizioterapisti juaj do të diskutoj me ju objektivat, kohën dhe skedulin e trajnimit për kthimin tuaj në sport ose punë. Dëmtimet që lidhen me punën shpesh kanë nevojë për diskutim me doktorin, këshilluesin e rehabilitimit ose punëdhënësin.
Rezultati perfekt do t’ju bëjë që të performoni me shpejtësi të plotë, fuqi, shkathtësi dhe funksion me njohurinë që keni marre nëpërmjet programit të rehabilitimit për të minimizuar mundësinë për dëmtim të mëtejshëm.
Për më shumë këshilla specifike për tendinitin e shpatullës, mund të kontaktoni Klinikën BALANCE.
Petrit Drini
Fizioterapist
www.klinikabalance.com
rr Nderko Rino pll Viridario 1 Tirana
tel +355 672847074