Problemet e shpatullës: Pjesa 2 – Bursiti i shpatullës

Çfarë është bursiti i shpatullës?
Bursiti i shpatullës është një inflamacion i bursës në shpatull. Njerëzit kanë disa bursa në shpatull. Bursa është një lloj qeske e mbushur me lëng që ndihmon reduktimin e fërkimit në hapësirat e shpatullës. Bursa subakromiale është ajo që inflamohet më shumë nga bursat në shpatull.
Bursiti subakromial është shkaku më i shpeshtë i dhimbjes së shpatullës që lidhet zakonisht me bllokimin e shpatullës për shkak të bursës ndërmjet manshetës rrotatore (rotator cuff) dhe kockës (acromion). Bursa subdeltoide është ajo që inflamohet më rrallë në shpatull.
Cilat janë simptomat të bursitit të shpatullës?
Bursiti i shpatullës zakonisht shfaqet me simptomat e mëposhtme:
- Dhimbje në pjesën e jashtme të shpatullës.
- Dhimbja mund të përhapet poshtë në krah në drejtim të bërrylit ose kycit të dorës.
- Dhimba përkeqësohet kur shtriheni në anën e shpatullës së prekur.
- Dhimbja përkeqësohet kur ngrini krahun sipër kokës.
- Lëvizje e dhimbshme harkore – dhimbje në shpatull në këndin 60-90 gradë të krahut kur lëviz lart në drejtim nga jashtë.
- Kur krahu qëndron anash trupit ka shumë pak dhimbje dhe mbi 90 gradë ka lehtësim të dhimbjes.
- Dhimbje shpatulle kur kryhen veprime të tilla si larja e flokëve, kapja e një sendi në dollap.
Si diagnostikohet bursiti i shpatullës
Fizioterapisti është në gjendje të bëjë dallimin ndërmjet bursitit të shpatullës dhe dëmtimeve të manshetit rrotator nëpërmjet testeve manuale. Bursiti i shpatullës shpesh ekziston së bashku me tendinitin ose probleme të manshetit rrotator.
Ultratingujt janë zakonisht më të përshtatshmet për të diagnostikuar bursitin subakromial. Shpesh mund të jetë e nevojshme dhe rezonanca magnetike për të konfirmuar diagnozën e burisitit të shpatullës.
Çfarë shkakton bursitin e shpatullës?
Bursiti përreth shpatullës mund të shkaktohet prej traumave të vogla të përsëritura të tilla si mbi përdorimi i artikulacionit të shpatullës dhe muskujve ose një traumë e vetme më e madhe e tillë si rrëzimi.
Në dëmtimet e llojit të mbi përdorimit, bursiti shpesh shoqërohet me bllokim dhe tendinit (inflamacion) të tendinëve të manshetit rrotator.
Në veçanti, bursa subakromiale shtrihet ndërmjet ligamentit coracoakromial dhe muskulit supraspinatus dhe ndihmon të reduktojë fërkimin në këtë hapësirë të vogël nën akromion.
Kur krahu qëndron në anë bursa zgjatet në anë dhe normalisht nuk është e bllokuar përveç rasteve të inflamacionit të madh.
Kur ngrini krahun anash, bursa rrotullohet nën kockë duke e rritur bllokimin.
Kur ju vazhdoni të ngrini krahun lart mbi lartësinë e shpatullës, bursa rrotullohet duke liruar zonën e bllokuar dhe lehtëson dhimbjen. Megjithatë, bllokimi i mëtejshëm mund të kthehet në ekstremin e lëvizjes kur krahu afrohet me veshin.
Si mund të parandaloni bursitin e shpatullës?
Eliminimi i shkaqeve primare dhe sekondare të bllokimit është çelësi për parandalimin e bursitit të shpatullës dhe problemeve të manshetit rrotator. Faktorë të tillë si, postura, zgjatimi i muskujve, stabiliteti i shpatullës dhe fuqia e manshetit rrotator duhen adresuar dhe mund të përmirësohet me ushtrime të veçanta të udhëzuara prej fizioterapistit.
Çfarë është bursiti i kalcifikuar i shpatullës?
Nëse trajtimi i bursitit të shpatullës neglizhohet, mund të bëhet kronik dhe shumë i vështirë për t’u trajtuar duke shkaktuar një cikël të dëmtimeve të manshetit rrotator dhe bllokimeve në artikulacionin e shpatullës.
Bursiti i kalcifikuar (zgjatim i kockës brenda bursës) mund të ndodhë me kalimin e kohës. Nëse rehabilitimi i fizioterapistit nuk ka efekt, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjike në këto raste.
Çfarë është bursiti kronik i shpatullës?
Në bursitin kronik (të vazhdueshëm) të shpatullës, mund të jetë i nevojshëm injeksioni kortikosteroid, i cili është një injektim i një medikamenti për të ndihmuar reduktimin e inflamacionit.
Fizioterapia normalisht fillon rreth një jave pas injeksionit për të trajtuar biomekanikën, muskujt dhe problemet me artikulacionin që kanë shkaktuar bursitin.
Ka një numër avantazhesh dhe disavantazhesh prej injeksioneve me kortikosteroid dhe ky opsion duhet diskutuar me doktorin tuaj. Diabeti dhe probleme të tjera me shëndetin mund të kufizojnë përdorimin e sigurtë të tyre. Rezultatet më të mira janë parë kur injeksioni është kryer duke u udhëzuar nëpërmjet ultratingujve.
Trajtimi i bursitit të shpatullës
Bursiti i shpatullës është një nga problemet më të hasura në fizioterapi dhe fatkeqësisht një dëmtim që shpesh ndodh kur ktheheni në sport ose punë shumë shpejt – veçanërisht nëse programi i rehabilitimit nuk është kryer plotësisht.
Mansheti rrotator është një grup i rëndësishëm i kontrollit dhe muskujve stabilizues që mbajnë “qendrën” e artikulacionit të shpatullës. Me fjalë të tjera, mban nyjën e shpatullës në qendër brenda kapsulës. Kjo parandalon dëmtimet e tilla si bursitin, bllokimet, zhvendosjet, etj. A e dini se krahu ka vetëm një artikulacion kockor aty ku klavikula lidhet me akromionin, majën e kockës së shpatullës. Pjesa tjetër e bashkimeve janë muskulore, të cilat theksojnë rëndësinë e rimarrjes së forcës tek muskujt e shpatullës.
Studimet kanë nxjerrë si përfundim që janë kryesisht 7 faza që duhen për t’u rimëkëmbur në mënyrë që të rehabilitohen dëmtimet dhe të parandalohet përsëritja. Këto janë:
Faza 1- Mbrojtja menjëherë pas dëmtimit: Lehtësimi i dhimbjes & Këshilla anti-inflamatore
Në fazën fillestare me shumë mundësi nuk do të jeni në gjendje të ngrini krahun lart ose të flini rehat. Qëllimi i parë është që t’ju japim pushim aktiv nga qëndrimet dhe lëvizjet që provokojnë dhimbjen. Kjo nënkupton që ju duhet të ndaloni të kryeni lëvizjet ose aktivitetet që provokojnë dhimbje në shpatull dhe të shmangni çdo gjë që shkakton dhimbje.
Ju mund të keni nevojë që të mbani një mbajtëse të krahut ose duhet të vendosni fasha/shirita ngjitës në shpatull për të lehtësuar dhimbjen. Në disa raste, kjo do të thotë që mund të keni nevojë të flini në pozicion pak të ngritur ose të mbështetur me jastëkë. Fizioterapisti është personi i duhur për t’iu udhëzuar në këto raste.
Akulli është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të reduktuar dhimbjen dhe ënjtjen. Vendosni akull për rreth 20-30 minuta çdo 2-4 orë gjatë fazës fillestare ose deri kur të vini re se zona e dëmtuar nuk është e nxehtë apo e ngrohtë.
Mjekimi me anti-inflamator (nëse tolerohen) dhe substanca natyrale mund të përdoren për të lehtësuar dhimbjen dhe enjtjen. Megjithatë, është më mirë që të shmanget përdorimi i anti-inflamatorëve gjatë 48-72 orëve të para pasi ato mund të nxisin hemorragji të mëtejshme. Shumë njerëz mund të tolerojnë paracetamolin si një mjekim për lehtësimin e dhimbjes. Ndërsa përmirësoheni, shiritat ngjitës mund t’ju ndihmojnë per te mbështetur indet e buta te dëmtuara dhe për te reduktuar ënjtjen e tepërt.
Gjithashtu fizioterapisti ju udhëzon dhe përdor një numër teknikash për lehtësimin e dhimbjes duke përfshirë mobilizimin e artikulacioneve, masazhin, etj., për t’ju ndihmuar ju gjatë fazës së dhimbjes.
Faza 2: Rifitimi i lëvizjeve të plota
Nëse ju i mbroni tendinët e shpatullës së dëmtuar në mënyrën e duhur, indet e dëmtuara do të shërohen. Strukturat e inflamuara (p.sh. tendiniti, bursa) do të përmirësohen nëse janë të mbrojtura ndaj dëmtimeve të mëtejshme.
Simptoma te lidhura me bursistin e shpatullës mund të kenë nevojë për disa javë që të shërohen. Gjatë kësaj kohe, është e rëndësishme qe te krijohet nje ambient i përshtatshëm qe te mundësoje kthimin tuaj ne përdorimin normal sa me shpejte dhe te parandaloje përsëritjen.
Është e rëndësishme që të zgjaten dhe të orientohen indet e dëmtuara të cikatrizuar nëpërmjet mobilizimit të artikulacioneve, masazhit, tërheqjeve të muskujve dhe ushtrimeve të lehta aktive të ndihmuara. Mobilizimet e artikulacioneve që realizohen nëpërmjet asistencës së fizioterapistit, do t’ju përmirësojnë gamën e lëvizjeve më shpejtë dhe në afat të gjatë përmirëson rezultatet funksionale tuajat.
Në shumë raste, zhvillohet një shtrëngim afat shkurtër ose afat gjatë i kapsulës së artikulacionit të shpatullës (zakonisht posterior) dhe të disa muskujve kompensues. Këto struktura duhen tërhequr për të lejuar lëvizjen normale. Shenjat të cilat tregojnë se keni zgjatim të plotë të indeve të buta përfshijnë mundësinë për të lëvizur shpatullën në disa lëvizje të plota. Në fazën fillestare, kjo mund të duhet të bëhet në mënyrë pasive nëpërmjet fizioterapistit. Ndërsa përmirësoheni, ju do të jeni në gjendje të kryeni lëvizjet me anë të fuqisë së muskujve tuaj.
Fizioterapisti ju udhëzon në cdo hap të këtij procesi.
Faza 3: Rimerrni kontrollin e shpatullës
Kocka e shpatullës (scapula) është baza e lëvizjeve të shpatullës dhe krahut tuaj. Lëvizja normale e skapulës – e njohur si ritmi skapulo-humeral – është e nevojshme për funksionim pa dhimbje dhe të fuqishëm të shpatullës. Një ritëm skapulo-humeral jo i mirë është shkaktari kryesor për bllokimin e shpatullës (shpatullën e ngrirë). Çdo mangësi është një komponent i rëndësishëm i rehabilitimit tuaj.
Fizioterapisti është eksperti për vlerësimin dhe korrigjimin e ritmit skapulo-humeral. Fizioterapisti është në gjendje të korrigjojë lëvizjen normale të shpatullës tuaj dhe t’ju mësojë ushtrime për stabilizimin e shpatullës.
Faza 4: Riktheni funksionin normal Qafe-Skapul-Kraharor-Shpatull
Mund t’ju duket e vështire për ta kuptuar, por qafa juaj dhe pjesa e sipërme e kurrizit (pjesa e kraharorit e shtyllës kurrizore) janë shumë të rëndësishme në rehabilitimin e dhimbjes dhe dëmtimit të shpatullës.
Çrregullimet e qafës ose të shtyllës kurrizore nuk shkaktojnë vetëm dhimbje direkt në shpatull, por mund të ndikojnë në energjinë që një nerv furnizon muskujt tuaj duke shkaktuar dobësi dhe modele lëvizjeje të ndryshuara. Strukturat e dhimbshme të shtyllës kurrizore që shkaktohen prej posturës (qëndrimit) të keqe ose dëmtimeve nuk u sigurojnë muskujve të shpatullës më një bazë të fortë dhe pa dhimbje mbi të cilën të mund të veprojnë.
Në shumë raste, veçanërisht në shpatullën kronike, disa trajtime që ushtrohen në pjesën e sipërme të qafës ose kurrizit janë të nevojshme për të lehtësuar dhimbjen, përmirësuar lëvizjen e shpatullës dhe për të ndaluar kthimin e dhimbjes ose dëmtimit.
Fizioterapisti është në gjendje të vlerësojë qafën dhe pjesën e shtyllës kurrizore të kraharorit si dhe t’ju japë trajtimin e nevojshëm.
Faza 5: Rimarrja e fuqisë dhe funksionit të manshetit rrotator (rotator cuff)
Mund të duket e çuditshme fakti që nuk përpiqeni të rimerrni forcën e manshetit rrotator deri në një fazë të mëvonshme të rehabilitimit. Megjithatë, nëse një strukturë tendini dëmtohet, duhet lejuar më parë shërimi përpara se ta sforcojmë atë strukturë me ushtrime force.
Si rrjedhojë, studimet kanë zbuluar rëndësinë e forcimit të muskujve të manshetit rrotator me anë të një programi të suksesshëm të rehabilitimit të tendinitit të shpatullës. Ushtrimet për manshetën rrotator duhet që të progresojnë si nga ana e ngarkesës ashtu dhe të pozicionit për të akomoduar tendinët e dëmtuar të manshetit rrotator.
Fizioterapisti ju përgatit programin më të përshtatshëm të ushtrimeve që ju duhen.
Faza 6: Riktheni shpejtësinë, fuqinë, përpikmërinë dhe shkathtësinë
Nëse dëmtimi i shpatullës është shkaktuar prej sportit, kjo ndodh zakonisht gjatë aktiviteteve me shpejtësi të lartë, të cilat ushtrojnë forcë të madhe mbi trupin tuaj (kontraktuese dhe jo-kontraktuese), ose veprime përsëritëse.
Në mënyrë që të parandaloni një përsëritje kur t’i ktheheni sportit, fizioterapisti ju udhëzon me ushtrime për të trajtuar rëndësinë e këtyre komponentëve të rëndësishëm të rehabilitimit për të parandaluar përsëritjen dhe për të përmirësuar performancën sportive. Në varësi të sportit ose stilit të jetës, programi i ushtrimeve do të përshtatet për t’ju përgatitur për stërvitje të caktuara për sporte.
Faza 7: Kthimi në sport ose punë
Në varësi të kërkesave të sportit ose punës, ju do të duhet të kryeni ushtrime specifike dhe të ndiqni stërvitje progresive për të mundësuar një kthim të sigurtë dhe pa dëmtime për në sportin apo punën tuaj.
Fizioterapisti juaj do të diskutoj me ju objektivat, kohën dhe skedulin e trajnimit për kthimin tuaj në sport ose punë.
Rezultati perfekt do t’ju bëjë që të performoni me shpejtësi të plotë, fuqi, shkathtësi dhe funksion me njohurinë që keni marre nëpërmjet programit të rehabilitimit për të minimizuar mundësinë për dëmtim të mëtejshëm.
Përmbledhje
Nuk ka një hark kohor të caktuar se kur duhet kaluar nga njëra fazë në tjetrën. Rehabilitimi i dëmtimit tuaj do të përcaktohet prej shumë faktorëve gjatë vlerësimit që do t’ju bëjë fizioterapisti. Është e rëndësishme të theksohet që çdo progres duhet monitoruar me kujdes pasi përpjekja për të ecur përpara shumë shpejt në nivelin tjetër mund të çojë ne ri-dëmtim dhe acarim.
Për këshilla me specifike lidhur me bursitin e shpatullës, mund të kontaktoni Klinikën BALANCE.
Petrit Drini
Fizioterapist
www.klinikabalance.com
rr Ndreko Rino pllViridario 1 Tirane
+355 672847074
The best position is the next position