Simptomat e Hernies Diskale Cervikale dhe mundësitë për trajtim
Çfarë është Hernia Diskale Cervikale
Hernia diskale cervikale diagnostikohet kur lënda e brendshme e vertebrës (diskut) në qafë shtypet dhe del jashtë, duke ushtruar presion dhe shtypur rrënjën e nervit aty pranë. Zakonisht ndodh në grup moshën 30-50 vjeç. Hernia diskale cervikale mund të shkaktohet dhe prej ndonjë traume ose dëmtimi në qafë dhe në këto raste simptomat zakonisht shfaqen në mënyrë spontane.
Përdoren terma të ndryshme për të përshkruar patologjinë e disqeve (vertebrave) të shtyllës kurrizore, të tilla si “hernie diskale”, “nerv i ngacmuar”, “disk i shtypur”.
Fatkeqësisht, profesionistët në fushën e shëndetit nuk bien dakord për përkufizimin e saktë dhe pacientët mund të shqetësohen kur dëgjojnë t’i referohen diagnozës se tyre me terma të ndryshme.
Hernia diskale cervikale është më pak e hasur se hernia diskale lumbare (në pjesën e kurrizit) për dy arsye:
– Ka më pak lëndë në disqet e pjesës cervikale
– Ushtrohet shumë më pak forcë përgjatë pjesës cervikale të shtyllës kurrizore
Disqet në pjesën cervikale të shtyllës kurrizore nuk janë shumë të mëdhenj, dhe nuk ka gjithashtu shumë hapësirë për nervat në atë zonë. Kjo do të thotë që edhe hernia më e vogël cervikale mund të ngacmojë nervin dhe të shkaktojë dhimbje të madhe.
Simptomat e Hernies Diskale Cervikale
Një hernie diskale në qafë mund të shkaktojë simptoma të ndryshme në qafë, krahë, duar dhe gishta, si dhe në pjesë të caktuara të shpatullës. Format e dhimbjes dhe problemet neurologjike përcaktohen kryesisht në varësi të zonës së hernies diskale.
Dhimbja e krahut prej hernies diskale cervikale vjen sepse lënda e hernies diskale ngacmon ose shtyp një nerv cervikal, duke shkaktuar kështu dhimbje që kalon përgjatë nervit deri poshtë në krah. Përveç dhimbjes në krah mund të ndjeni mpirje në krah dhe/ose në majat e gishtave. Mund të shfaqet gjithashtu një dobësi e muskujve.
Zona cervikale e shtyllës kurrizore është e ndërtuar rreth vertebrave, ose 7 blloqeve të kapura kockore në shtyllën kurrizore. Ato numërohen nga lart poshtë duke i emërtuar C1 deri në C7. Nervi që preket prej hernies diskale është ai që del jashtë shtyllës kurrizore në atë zonë, kështu që në nivelin C5-C6 është rrënja e nervit C6 që preket.
Për shembull:
- C4-C5 (rrënja e nervit C5): Një hernie në këtë nivel mund të shkaktojë dhimbje shpatulle dhe dobësi në muskulin deltoid që ndodhet në grupin e muskujve në majë të krahut, dhe zakonisht nuk shkakton mpirje.
- C5-C6 (rrënja e nervit C6): Një hernie në disqet C5-C6 mund të shkaktojë dobësi në muskujt e bicepsit dhe muskujt zgjatës të kyçit të dorës. Mpirja bashkë me dhimbjen mund të shpërndahen deri tek pjesa anësore e gishtit të madh të dorës. Në këtë zonë ndodh me shpesh hernia diskale.
- C6-C7 (rrënja e nervit C7): Një hernie diskale në këtë zonë mund të shkaktojë dobësi muskujt e tricepsit (muskujt në pjesën e pasme të sipërme të krahut dhe që zgjaten deri në parakrah) dhe muskujt zgjatues të gishtave. Mpirja bashkë me dhimbjen mund të shpërndahen përgjatë tricepsit dhe deri në gishtin e mesit. Në këtë zonë gjithashtu haset shpesh hernia diskale.
- C7-T1 (rrënja e nervit C8): Kjo zonë është fundi i qafës, ku pjesa cervikale e shtyllës kurrizore bashkohet me pjesën torakale te shtyllës, ose ndryshe pjesën e sipërme të kurrizit. Një hernie këtu mund të shkaktojë dobësi në dorë, përgjatë me mpirje dhe dhimbje që shpërndahet poshtë krahut deri në gishtin e vogël të dorës.
Këto janë llojet tipike të dhimbjes që shoqërojnë hernien diskale cervikale, por nuk janë të vetmet. Disa njerëz kanë ndërtim nervor pak më ndryshe se të tjerët, kështu që dhimbja e tyre e krahut dhe simptomat e tjera mund të jenë ndryshe.
Mundësitë për trajtim
Ashtu si dhe në rastet e hernies diskale të zonës së kurrizit, hapi i pare i trajtimit të hernies diskale cervikale është disa ditë qetësi dhe medikamente qetësuese kundra dhimbjes. Nëse dhimbja është e fortë dhe/ose vazhdon për më shumë se dy javë, mund të përdoren medikamente më të forta për të ulur inflamacionin.
Përveç medikamenteve anti-inflamatore, ka një numër trajtimesh jo-kirurgjikale që mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes të shkaktuar prej hernies diskale cervikale. Këto janë:
- Fizioterapi dhe ushtrime: Ashtu si dhe për pjesën e kurrizit, ushtrimet Mckenzie mund të përdoren për të reduktuar dhimbjen në krah. Në momentin fillestar fizioterapisti mundet gjithashtu të përdorë metoda të tilla si nxehtësinë / ftohjen ose ultratingujt për të reduktuar spazmat e muskujve.
- Tërheqja cervikale: Tërheqja e ushtruar në kokë mund të ndihmojë në reduktimin e presionit që ushtrohet mbi rrënjën e nervit. Nuk funksionon për këdo por është e lehtë të ushtrohet dhe nëse është efektive pacienti mund të përdorë një pajisje për tërheqje në shtëpi.
- Manipulimet kiropraktike: Manipulime të lehta manuale mund të ndihmojnë çrregullimin e artikulacioneve që mund të jetë komponent shtesë në dhimbjen. Ky lloj manipulimi quhet mobilizim. Ndërsa manipulimet më të shpejta të quajtura ndryshe rregullime, duhen shmangur pasi mund të përkeqësojnë dhimbjen, ose dëmtimin nervor.
- Mjeksia osteopatike: Manipulimet e lehta osteopatike dhe teknikat e veçanta për të rikthyer lëvizjen normale të artikulacionit mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes.
- Ndryshimet në aktivitete: Disa lloje te aktiviteteve mund ta rëndojnë dhimbjen e hernies diskale dhe është e arsyeshme që të shmangen këto aktivitete që ngacmojnë rrënjën e nervit. Aktivitete të tilla mund të përfshijnë ngritjen e peshave të rënda, aktivitete që mund të shkaktojnë vibrime dhe shtypje të pjesës cervikale të shtyllës kurrizore, dhe aktivitete të përgjithshme që kërkojnë sforcime dhe/ose rrotullime të gjata të qafës
- Qafore: Në disa raste mund të rekomandohet një qafore për të ndihmuar dhe për t’i dhënë qetësi pjesës cervikale.
Nëse trajtimet e mësipërme të quajtura ndryshe trajtime konservatore, nuk arrijnë të përmirësojnë gjendjen dhe lehtësojnë dhimbje për një periudhë deri në 12 javë, atëherë mjekët specialistë mund të sugjerojnë trajtimet nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale.