SPONDILIARTROZA CERVIKALE
Spondiliartroza, ose artriti i shtyllës kurrizore, mund të preki çdo komponent të shtyllës kurrizore. Shtylla kurrizore është e ndarë në zona: qafa (pjesa cervikale e shtyllës kurrizore), pjesa e kraharorit (pjesa torakale e shtyllës kurrizore), dhe pjesa e poshtme e kurrizit (pjesa lumbare e shtyllës kurrizore). Në fund të shtyllës kurrizore ndodhet sakrumi dhe coccyx, që zakonisht quhet “kërbishti”. Kockat në shtyllën kurrizore quhen vertebra, dhe ndodhen 33 vertebra në shtyllën kurrizore. Pjesa cervikale përbëhet nga 7 vertebrat e qafës të emërtuara C1-C7.
Ndërmjet vertebrave, ndodhen disqet. Këto veprojnë si absorbues të lëvizjeve ndërsa shtylla kurrizore lëviz. Çdo disk përbëhet nga një unazë e jashtme fibroze dhe një lëndë në formë xheli që ndodhet në mes. Procesi i vjetrimit transformon disqet dhe i bën ato më pak të mundura për të absorbuar lëvizjet. Ndërsa mosha kalon, disqet e ndërmjetme bëhen më të predispozuar ndaj problemeve; ato mund të dalin jashtë zonës. Shtylla juaj kurrizore ka gjithashtu fasheta për vertebrat, të cilat janë në pjesën e pasme të vertebrave. Këto artikulacione, si gjithë të tjerat në trup ndihmojnë lëvizjen dhe janë shumë të rëndësishme për fleksibilitetin tuaj. Spondiliartroza që prek artikulacionet quhet osteo-artriti, i cili është forma më e zakonshme e artritit në Amerikë.
CFARË ËSHTË SPONDILIARTROZA CERVIKALE
Spondiliartroza cervikale është një degjenerim i lidhur me kalimin e moshës i vertebrave dhe disqeve në qafë. Deri diku, të gjithë zhvillojmë një lloj degjenerimi të vertebrave dhe disqeve me kalimin e moshës. Ky proces ka prirje të fillojë diku pas moshës 30 vjeç. Një tipar i degjenerimit është që anët e vertebrave shpesh krijojnë, zona të vogla, të ashpra kockore të quajtura osteofite. Gjithashtu, pas shumë vitesh, disqet fillojnë dhe hollohen. Ky degjenerim është një proces normal plakjeje që mund të konsiderohet si “rrudhosje në shtyllën kurrizore”. Në shumë njerëz, degjenerimi nuk shkakton ndonjë simptomë. Për shembull, rrezet X në qafë do të shfaqin këto tipare (osteofite dhe hollim të disqeve) në shumë persona që nuk kanë ndonjë simptomë.
Megjithatë, në disa njerëz, muskujt aty pranë, ligamentet, ose nervat mund të irritohen ose të shtypen prej ndryshimeve degjeneruese. Kështu që, spondiliartroza cervikale shpesh nuk shkakton probleme por mund të jetë një shkak për dhimbjen e qafës, veçanërisht në njerëzit më të moshuar.
CILAT JANË SIMPTOMAT E SPONDILIARTROZËS CERVIKALE
Nëse simptomat zhvillohen, ato mund të variojnë nga më të lehtat deri tek më të rëndat. Simptomat mund të përfshijnë:
- Dhimbje në qafë. Kjo mund të shpërndahet në shpatulla dhe në bazën e kafkës. Lëvizja e qafës mund të përkeqësojë dhimbjen. Dhimbja shpesh shpërndahet përgjatë krahut deri në dorë dhe në gishta. Kjo shkaktohet prej ngacmimit të një nervi që shkon përgjatë krahut nga palca kurrizore në qafë. Dhimbja ka prirje për t’u larguar dhe shfaqur përsëri me momente kulminante herë pas here. Ju mund të ndjeni dhimbje të fortë pas një lëvizjeje jo të zakontë të qafës, ose nëse bëni ndonjë tërheqje të muskulit apo ligamentit. Megjithatë, një dhimbje e fortë shpesh shkaktohet pa ndonjë arsye të dukshme.
- Bllokim të qafës, veçanërisht pas një pushimi gjatë natës.
- Dhimbje koke, të cilat shpesh fillojnë në pjesën e pasme të kokës menjëherë sipër qafës dhe vazhdon deri në ballë.
- Ju mund të ndjeni pickime në një pjesë të krahut ose dorës. Kjo simptomë shkaktohet prej ngacmimit të një nervi të shtyllës kurrizore në zonën ku del jashtë nga vertebra. Megjithatë, duhet të njoftoni mjekun nëse humbni ndjesinë ose keni dobësi në një pjesë të dorës ose të krahut. Këto simptoma tregojnë për një shtypje më të madhe të nervit. Kjo quhet “radikulopati cervikale”.
- Shumë rrallë, mpirja e dorës, probleme me ecjen ose probleme me fshikëzën e urinimit ndodhin kur presioni/shtypja prej një vertebre apo disku dëmton palcën kurrizore. Kjo quhet “mielopati cervikale”. Përsëri, është e rëndësishme që të njoftoni mjekun për këto simptoma.
CILAT JANË TRAJTIMET PËR SPONDILIARTROZËN CERVIKALE
Ushtrimet e qafës dhe mbajtja aktive e qafës
Duhet të keni për qëllim që të mbani qafën në lëvizje sa më normalisht që të mundeni. Gjatë fazave me dhimbje të forta, mund të keni nevojë për të pushuar një ose disa ditë. Megjithatë, mund të filloni me ushtrime të lehta të qafës kur të jeni në gjendje për t’i kryer. Nuk duhet ta lini qafën që të bllokohet. Gradualisht përpiquni të rrisni numrin e lëvizjeve të qafës. Çdo disa orë lëvizni qafën lehtë në secilin drejtim. Bëjeni këtë disa herë në ditë.
Vazhdoni të kryeni aktivitetet normale sa më tepër që të mundeni. Nuk do të shkaktoni dëmtim në qafë duke e lëvizur atë.
Mjekime
Ilaçet mund të lehtësojnë dhimbjet e shkaktuara prej spondiliartrozës. Këto mund të përfshijnë:
- Paracetamoli në përgjithësi është i mjaftueshëm. Për një të rritur mund të jepet në dy tableta 500 mg, katër herë në ditë.
- Anti-inflamator. Për disa persona këto funksionojnë më mirë se sa paracetamoli. Ato mund të përdoren vetëm ose në kombinim me paracetamolin. Këto përfshijnë ibuprofenin, të cilin mund ta blini në farmaci. Kujdes duhet bërë në rastin e problemeve me ulcerë në stomak, azëm, tension të lartë, probleme të veshkave ose me zemrën.
- Ilaçe të forta kundra dhimbjes të tilla si kodeina, janë një opsion nëse anti-inflamatori nuk i përshtatet personit ose nuk funksionon mirë. Kodeina shpesh merret bashkë me paracetamolin. Një efekt anësor i kodeinës është kapsllëku. Për të parandaluar kapsllëkun, pini shumë lëngje dhe hani ushqime me shumë fibra.
Trajtime të tjera
Disa trajtime të tjera të cilat këshillohen, përfshijnë:
- Postura (qëndrimi) i mirë mund t’ju ndihmojë. Kontrolloni pozicionin ulur në punë dhe para kompjuterit, nëse është i keq (pra, jo me kokën e përkulur përpara dhe me kurriz të kërrusur).
- Një jastëk i fortë mbështetës mund të ndihmojë disa persona gjatë gjumit. Mos përdorni më tepër se një jastëk.
- Fizioterapia. Trajtime të ndryshme mund të këshillohen prej fizioterapistit. Këto përfshijnë tërheqjen, të ngrohtin, të ftohtin, manipulime, etj. Ajo që vlen akoma më tepër është këshilla e fizioterapistit që jep për ushtrimet e qafës që personi mund të bëj në shtëpi. Një situatë e zakonshme është që doktori të këshillojë ilaçe dhe ushtrime të lehta për qafën. Nëse simptomat nuk përmirësohet për rreth një javë ose më tepër, ju mund t’i referoheni fizioterapistit për t’ju ndihmuar me lehtësimin e dhimbjes dhe për këshilla mbi ushtrimet specifike të qafës.
PARANDALIMI DHE LEHTËSIMI I SPONDILIARTROZËS
Spondiliartroza në përgjithësi zhvillohet tek personat mbi 40 vjeç, por kjo nuk do të thotë që nuk prek personat më të rinj gjithashtu. Të gjithë mund të kemi një shkallë të spondiliartrozës, por mund të mos shkaktojë dhimbje ose simptoma të tjera. Gjithshka varet nga zona se ku spondiliartroza ka prekur shtyllën kurrizore. Meshkujt në përgjithësi preken nga spondiliartroza më shpejt se femrat.
Ju nuk mund të ndaloni procesin e plakjes në trupin tuaj, por mund të bëni shumë për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të shtyllës kurrizore. Duke ndjekur këshillat më poshtë, ju mund të gëzoni një shtyllë kurrizore të shëndetshme në çdo moshë.
- Ndiqni planin e ushtrimeve dhe këshillat e fizioterapistit.
- Uluni dhe qëndroni siç duhet.
- Mësoni që të ngrini peshat në mënyrën e duhur.
- Kryeni ushtrime rregullisht.
- Mbani dhe ruani një peshë të shëndetshme të trupit.
- Hani shëndetshëm (një dietë të balancuar me pak yndyra dhe të pasur me fruta dhe perime).
- Ndaloni së piri duhan.
- Shmangni konsumimin e tepërt të alkoolit.
- Pushoni mjaftueshëm.
FIZIOTERAPIA PËR SPONDILIARTROZËN
Doktori mund t’ju rekomandojë fizioterapinë si pjesë të planit të trajtimit pasi një fizioterapist mund t’ju ndihmojë për të ruajtur dhe rritur lëvizshmërinë, mësojë mënyra se si të lehtësoni dhimbjen, të forconi muskujt e shtyllës kurrizore, dhe të tërhiqni muskujt që mund të shtojnë shtypjen e nervave në shtyllën tuaj.
Një fizioterapist përdor trajtimet pasive për t’ju relaksuar trupin tuaj dhe për të lehtësuar dhimbjen akute ose inflamacionin. Këto quhen pasive pasi ju nuk merrni pjesë në mënyrë aktive. Nëse keni dhimbje akute, me shumë mundësi do të filloni me trajtime pasive që trupi të shërohet dhe/ose i përshtatet dhimbjes. Megjithatë, qëllimi i fizioterapisë është që të kalohet në trajtimet aktive. Këto janë ushtrime terapeutike që forcojnë trupin tuaj në mënyrë që shtylla kurrizore të ketë më tepër mbështetje.
Çmobilizimi (mbajtja pa lëvizur) e pjesës cervikale të shtyllës kurrizore është baza kryesore e trajtimit konservator për pacientët me spondiliartrozë cervikale të gradës serioze që shfaqin dhe shenja mielopatie.
Fizioterapisti mund të kryej këto trajtime pasive:
- Terapia manuale si dhe Masazhi i indeve të thella: Kjo teknikë përdoret për spazmat dhe tensionin kronik në muskuj që mund të jetë grumbulluar si pasojë e stresit të përditshëm. Ju mund të keni spazma ose tension në muskuj për shkak të tërheqjeve të tendinëve ose ligamenteve. Fizioterapisti përdor presion direkt dhe fërkim për t’u përpjekur që të çlirojë tensionin në indet tuaja të buta (ligamente, tendinë, muskuj).
- Terapia me të ngrohtë dhe të ftohtë: Fizioterapisti juaj mund të alternojë terapitë ndërmjet të ngrohtit dhe të ftohtit. Duke përdorur të nxehtin, fizioterapisti synon që të sjellë më shumë gjak në zonën e prekur dhe qarkullimi i rritur i gjakut sjell më shumë oksigjen dhe ushqyes në atë zonëTerapia me të ftohtë, ngadalëson qarkullimin, duke ndihmuar në reduktimin e inflamacionit, spazmave muskulore dhe dhimbjen. Mund të vendosni një paketë të ftohtë mbi zonën e prekur, ose mund të ushtroni një masazh me akull.
- Stimulimi elektrik: Teknika TENS stimulon muskujt nëpërmjet një rryme elektrike të variueshme (por të sigurtë). Ndihmon në reduktimin e spazmave muskulore dhe mund të rrisë prodhimin e endorfinës në trup (lehtësuesi natyral i dhimbjes). Mund të largoj inflamacionin duke ndikuar në shërimin, relaksimin dhe ri-edukimin e muskujve të përfshirë.
Në pjesën aktive të fizioterapisë, fizioterapisti ju mëson ushtrime të ndryshme për të përmirësuar fleksibilitetin, fuqinë, stabilitetin kryesor, dhe një numër lëvizjesh. Ushtrimet cervikale rekomandohen shumë tek pacientët me spondiliartrozë cervikale. Këto janë shpesh të dobishëm për të ruajtur fuqinë e muskujve të qafës. Ushtrimet e qafës dhe për pjesën e sipërme të kurrizit, si dhe aktivitetet e lehta aerobike janë të rekomandueshme gjithashtu. Programet e ushtrimeve fillohen dhe monitorohen më mirë prej një fizioterapisti. Programi i fizioterapisë është i personalizuar, dhe merr parasysh shëndetin dhe historikun e tij. Pjesa aktive e fizioterapisë ju ndihmon për të mësuar se si “të kujdeseni vetë”. Vetë-kujdesia ju jep fuqinë për të bërë kujdes me trupin nëpërmjet parimeve dhe zakoneve të mira.
Spondiliartroza cervikale nuk mund të kurohet plotësisht, por fizioterapia dhe lëvizjet luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e mënyrës së të jetuarit dhe ngadalësimin apo ndalimin e procesit degjenerues.
Petrit Drini
Fizioterapist
+355 672847074
Klinika Balance
www.klinikabalance.com